Sulmi në stacionin e trenit, 52 viktima
Gazetar: Isuf Kadriu
Të mbijetuarit e sulmit me raketa në stacionin e trenit të Kramatorsk në rajonin Donbas të Ukrainës rrëfëjnë skenat e tmerrshme që panë pas sulmit, shkruan Alsat.
Nastya Yefrimenko 17-vjeçe, banore e Kramatorsk, thotë se kur stacioni u godit me të premten “të gjithë ranë në tokë”.
“Më kujtohet një zhurmë shumë e madhe dhe kishte diçka që na goditi, predha ose raketa. Të gjithë u përplasën në tokë. Kjo është e gjitha, një makth, gjithçka filloi të digjet, të gjithë ishin në panik”, tha Nastya Yefrimenko 17-vjeçe
Një tjetër banor lokal, Oleksandr Kachura, tha se sulmi kishte shkaktuar kaos dhe frikë të madhe mes njërzve të cilët vraponin për të shpëtuar kokën.
“Kishte shumë kamionë, ambulance, gjithcka ishte në kaos, një përplasje mes njerëzve që vraponin në drejtime të ndryshme”, tha Oleksandr Kachura, dëshmitar i sulmit
Jashtë stacionit të trenit, makinat e djegura, mbeturinat dhe njollat e gjakut në tokë tregojnë ende dhunën e sulmit. Ndërsa shumë njerëz kishin shkuar në stacion për të kërkuar familjarët e tyre të zhdukur.
Operatori hekurudhor i Ukrainës thotë se evakuimet e civilëve do të vazhdojnë përmes stacioneve të tjera në Ukrainën lindore. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky denoncoi sulmin me raketa si një tjetër krim lufte rus dhe tha se Ukraina pret një përgjigje të ashpër globale. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha ky sulm “është edhe një mizori e tmerrshme e kryer nga Rusia, duke goditur civilët kur ata tentojnë të evakuohen në zona të sigurta”. Megjithëse stacioni i trenit Kramatorsk është në territorin e kontrolluar nga qeveria ukrainase në Donbas, separatistët, të cilët punojnë ngushtë me trupat ruse, fajësuan Ukrainën për sulmin ku humbën jetën 52 persona. Pesë fëmijë ishin në mesin e të vdekurve dhe dhjetëra njerëz u plagosën rëndë. /Alsat.mk








