Sulmohet Lviv, streha e qindra mijëra refugjatëve ukrainas

Gazetare: Semra Kadriu

Qyteti Lviv në perëndim të Ukrainës u zgjua sot nga një sërë shpërthimesh të fuqishme. Autoritetet lokale njoftuan se një pjesë e raketave kruz ishin lëshuar nga bombardues të instaluar në Detin e Zi, dhe shkatërruan disa komplekse ndërtimi dhe aeroportin e qytetit. Lvivi gjendet vetëm 70 km nga kufiri polak i cili shërben si strehë për qindra mijëra refugjatë që kanë lënë vendin për shkak të luftimeve.

“Sulmi ndaj Lvivit është sulm ndaj qendrës humanitare që strehon të paktën 200 mijë njerëz të ardhur nga zonat e luftës. Ky sulm është konfrimim se Rusia nuk është në luftë më ushtrinë ukrainase por me civilët, fëmijët, gratë dhe njerëzit e shpërngulur”, deklaroi Maksim Kozitsky, guvernator rajonal i Lviv.

Forcat ruse vijojnë bombardimet edhe në linjën tjetër, atë ndaj kryeqytetit të Ukrainës, të nisura prej 24 shkurtit. Të paktën një person mbeti i vdekur ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën, duke e cuar numrin e viktimave në Kiev në 222.
“Kishte shpërthime. U zgjuam, u fshehëm në banjë dhe u larguam menjëherë”, u shpreh një fëmijë.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko tha se shumë ndërtesa banimi, çerdhe e shkolla janë shkatërruar nga sulmet e fundit ruse. Ish boksieri tha se pret që Kievi të përballet me shkatërrim total ashtu sikurse shumë qytete të tjera të Ukrainës.

“Lufta është kundër civilëve. Nuk shoh ushtarë të Ukrainës këtu. Nuk ka asnjë bazë ushtarake. Vetëm ndërtesa banimi.. banesa të civilëve”, deklaroi Vitali Kliçko, kryetar i Kievit.

Viktima janë regjistruar edhe nga bombardimet në vijim nga Harkov, Kramatorsk dhe qytete të tjera. Autoritetet ukrainase nga ana tjetër vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar të mundshëm nga tragjedia e para dy ditëve në Mariupol, ndaj Teatrit të Qytetit që ishte strehë e qindra grave dhe fëmijëve. Deri tani janë shpëtuar 130 të mbijetuar, por ende nuk dihet evidenca reale e të pranishmëve gjatë sulmit. Pas tragjedisë, Italia u zotua për rindërtimin e këtij teatri, menjëherë pas përfundimit të luftës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button