Takim Kovaçevski – Blinken, SHBA mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Takim Kovaçevski – Blinken, SHBA mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Gazetar: Lluka Andreev

Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit ishin ndër temat që diskutuan sekretari amerikan i shtetit, Antoni Blinken dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili ndodhet për vizitë pune në Uashington. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kryeministri theksoi se në këtë fushë janë miratuar disa ligje, por ato duhet të përmirësohen. Kovaçevski indirekt përmendi edhe mundësinë e “vetingut” në gjyqësor.

“Para se gjithash këtu e kam fjalën për transparencën e gjithë sistemit të drejtësisë, i cili është i pavarur, por gjithsesi përbëhet nga individë dhe përmes transparencës duhet të identifikohen ata që kanë performancë më të mirë dhe që kanë performancë më të ulët, në mënyrë që të avancohen ose zëvendësohen”, tha Dimitar Kovaçevski– kryetar i Qeverisë.

Siç njoftuan nga Qeveria, sekretari amerikan Blinken tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me vendosmëri në krah Maqedonisë së Veriut. Blinken theksoi se vendi do të ketë mbështetje në hapat e ardhshëm që do të kontribuojnë në sigurimin e një të ardhme të mirë në BE. Nga ana tjetër, Kovaçevski në intervistë shprehu besimin se nëse ka vullnet dhe guxim politik, Maqedonia e Veriut do të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030 dhe bëri thirrje që ndryshimet kushtetuese të mos i nënshtrohen kushteve politike. Blinken dhe Kovaçevski folën edhe për pavarësinë energjetike, përkatësisht për projektin e gazsjellësit me Greqinë, por edhe për ndërtimin e korridoreve. Në Uashington midis dy vendeve u nënshkrua edhe Memorandum i partneritetit strategjik në luftën kundër dezinformimit. Kjo sipas kryeministrit, do të thotë bashkëpunim më i ngushtë për të zbuluar burimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme. Kovaçevski thotë se dezinformatat krijojnë histeri dhe panik te popullata, dhe në të njëjtën kohë ato përdoren nga shtetet e treta që nuk duan ta shohin vendin si anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button