“Target-Fortesa”, Këshilli Gjyqësor do të shqyrtojë vendimin e Apelit

“Target-Fortesa”, Këshilli Gjyqësor do të shqyrtojë vendimin e Apelit

Gazetar: Adrian Kerimi

Një grup pune nga Këshilli Gjyqësor do të shqyrton rastin “Target-Fortesa” dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për kthimin në rigjykim të lëndës për përgjimin masiv, vepër e cila i ngarkohet ish drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov. Do të shqyrtohet edhe procedura për lëndët “Thesari”, “Transportuesi” dhe rasti “Alfa”. Për rastin “Target-Fortesa” grupi i punës do të kërkon të di arsyet pse lënda në fjalë qëndroi në sirtar për një vit.

“Obligohet koordinatori i Gjykatës së Apelit që së bashku me grupin e punës të themeluar nga anëtarët e Këshillit Gjyqësorë, Mirjana Radevska Stefkova dhe Meri Radevska që në afat sa më të shkurtër të kryejnë vizitë punë në Gjykatën e Apelit me qëllim të konstatimit të gjendjes faktike, respektimin e dispozitave ligjore dhe veprimet e ndërmarra nga gjykatësit si dhe ligjshmëria e asaj nëse në ndonjë gjykim ka marrë pjesë gjykatës të cilët i kanë plotësuar kushtet për pension. Kjo i referohet lëndëve: “Target-Fortesa”, “Thesari”, “Transportuesi” dhe “Alfa”, tha Vesna Dameva, Kryetare e Këshillit Gjyqësor.

Gjykata e Apelit sot përmes një njoftimi shpjegoi sipas tyre, arsyet pse është shfuqizuar vendimi i shkallës së parë për rastin “Target-Fortesa”. Sipas tyre, gjatë procesin gjyqësorë janë bërë shkelje esenciale ndaj dispozitave të Ligjit mbi procedurën penale.

“Gjykata e Apelit ka konstatuar se ekziston papajtueshmëri mes aktvendimit dhe versionit në formë të shkruar, përkatësisht në vendimin e shkruar nuk janë potencuar dhe theksuar veçmas veprimet kundërligjore për çdo një të akuzuar”, thonë nga Gjykata e Apelit.

“Target-Fortesa” është lënda e katër me radhë, mbi akuzat e shtruara nga ish PSP, për të cilat Gjykata e Apelit i ka rrëzuar vendimet e Gjykatës Penale. Paraprakisht rrezoi rastin “Thesarin” në të cilën Mijallkov u dënua me 8 vite burg për prokurim të jashtëligjshëm të pajisjeve për përgjim. Rasti “Titanik 2” ku për parregullsi zgjedhore akuzohen Mijallkov, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe ish anëtarët e KSHZ-së, Bedredin Ibraimi, Sasho Srtsev, Elizabeta Stefanova dhe Vllatko Sajkovski. Lënda “Titanik 3” në të cilën për keqpërdorime zgjedhore akuzohen Ejup Alimi dhe Ismet Guri. Në sirtarët e Apelit mbetet lënda “Transportuesi” për të cilën akuzohet ish kreu i Manastirit, Vlladimir Talveski mbi akuzat për kurdisje tenderi. Lënda “Parcelat në Vodno” ku të akuzuar janë ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe biznesmeni Orce Kamçev. Rastet e vetme që kanë përfunduar janë rasti “Tanku” për të cilin janë dënuar ish ministrja e Brendshme, Gordnata Jankullovska dhe ish kryeministri Nikolla Gruevski për tenderin e Mercedesit prej 650 mijë euro, si dhe rasti “Sopoti”. Në këtë rast të dënuarit u shpallën të pafajshëm, ndërsa Prokuroria Publike deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për zbardhjen e rastit, përkatësisht ndjekjen penale të montuesve të rastit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button