Të afërmit dhe policët ‘mbledhin’ viktimat në Bucha

Të afërmit dhe policët ‘mbledhin’ viktimat në Bucha

Njerëzit në Bucha vazhdojnë të kërkojnë për trupat e të afërmve të tyre, të masakruar nga ushtria ruse kur kishte nën kontroll qytetin ukrainas.

Gazetarët e BBC-së që raportojnë nga zona tregojnë se si një shef policie tashmë i duhet të kalojë ditën e punës në kërkim për trupave të pajetë të groposur apo hedhur nëpër qytet.

Ai merr telefonata nga qytetarët që kërkojnë të dashurit e tyre. Një vendndodhje, disa detaje, një numër telefoni dhe ai del në terren.

Para se të vinin rusët, Lobas ishte një shef i zakonshëm i policisë lokale që merrej me krimin në qytet. Që nga çlirimi i Buchas nga rusët, ai i ka kaluar ditët në një klasë të braktisur në shkollës, duke koordinuar operacionin masiv për gjetjen e të vdekurve.

Ai ka në tavolinë hartën e Buchas, një periferi dikur paqësore dhe pak e njohur e Kievit, që tani është një skenë gjigante krimi.

Zona u pushtua nga forcat ruse për një muaj teksa ata tentuan të sulmonin Kievin dhe çlirimi i saj pak më shumë se një javë më parë ka nisur një proces të ngadaltë dhe të dhimbshëm të zbulimit të tmerreve.

Sa herë që bie telefoni, Lobas sheh në hartë dhe shkruan informacionet që merr. Një ditë më parë, thotë ai, gjetëm 64 trupa, ndërsa tani aty pranë po gërmohet në një varr masiv dhe numri i viktimave pritet të jetë i lartë.

Lobas ndalonte herë pas here për të shkuar në këndin e lojërave të shkollës për të pirë një cigare, por edhe këto momente ndërpriteshin nga problemet që i raportonin në lidhje me mbledhjen e kufomave.

Një nga furgonët që transportonin kufomat në morg kishte ngecur në baltë, teksa në qytet binte shi, rrëfen gazetari. Ka pak furgonë dhe shumë kufoma, kështu që zyrtarët vendas po kërkojnë një traktor si zgjidhje alternative.

Lobas trajton rastet më të rënda. “Kur njerëzit janë qëlluar në kokë me duart e lidhura pas shpine ose kur janë djegur trupat unë shkoj në vendngjarje”, thotë ai.

Volodymyr dhe Serhiy kishin humbur kontaktet me Vitaliyn një muaj më parë, kur rusët morën kontrollin e Buchas dhe komunikimet me të u ndërprenë. Ata kërkuan më kot në rrjetet sociale për të gjetur prova se ai ishte gjallë.

Pas kërkimeve dhe futjes së policisë në apartamentin e shkatërruar nga ushtarët rusë, ata panë njolla gjaku mbi jastëk dhe në muret pranë shtratit. Mes rrëmujës në dysheme kishte dy gëzhoja plumbash, ndërsa viktimën e gjetën jashtë shtëpi, në afërsi të pyllit.

Imazhet dhe historitë e tmerrshme që po vërshojnë pas tërheqjes së forcave ruse nga qytetet e Ukrainës, si qyteti Bucha, dëshmojnë për një degradim që të sjell në kujtesë barbaritë në Kamboxhia, në Ballkan, apo gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pasi zyrtarët ukrainas bënë të ditur se deri më tani janë zbuluar mbi 400 kufoma civilësh, në nivelet më të larta të pushtetit politik perëndimor janë shtuar zërat që bëjnë thirrje për llogaridhënie, ngritje akuzash dhe ndëshkim.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila zakonisht ngre akuza ndaj vetëm një numri të kufizuar personash të nivelit të lartë, ka çelur tashmë një hetim për mizoritë në Ukrainë. Prokurorët ukrainas kanë filluar mijëra hetime penale, ndërsa prokurorët në Poloni, Gjermani, Lituani, Letoni, Estoni, Francë, Sllovaki, Suedi, Norvegji dhe Zvicër kanë hapur hetime të tyret. Janë shtuar gjithashtu thirrjet për të krijuar një gjykatë speciale për të hetuar Rusinë për krimin e agresionit në Ukrainë.

LEXO EDHE:

Back to top button