Të enjten në Shkup shfaqet premiera “Zbuluesi i gënjeshtrave”
Të enjten në Shkup shfaqet premiera “Zbuluesi i gënjeshtrave”
Gazetare: Xhesika Sallahi
“Zbuluesi i gënjeshtrave” është shfaqja më e re teatrale, e cila do të shfaqet në teatrin shqiptar të Shkupit. Regjisori Hamdi Rashidi tregon se për çfarë flet shfaqja dhe cili është mesazhi që përcjell.
“Shfaqja “Zbuluesi i gënjeshtrave” është një shfaqje sociale, shoqërore e cila flet për një çift bashkëshortor, ku nisin të zihen për shkak të parave. …. Mesazhi që përcjell shfaqja është besueshmëria dhe korrektësia në çift”, deklaroi Hamdi Rashidi, Regjisor.
Rashidi thotë se është mjaft i kënaqur nga ekipi i aktorëve, Dritëro Ame, Afërdita Nuhiji Jonuzi dhe kontribuuesit e tjerë të shfaqjes komediane. Sipas Rashidit, të qeshurat dhe energjia gjatë provave, do të përcillet tek shikuesit, andaj shfaqja do të ketë sukses.
“Jam shumë i kënaqur. Kam kolegun e studimeve Dritëro Amen si partner dhe një vajzë të re brilante, fantastike, kemi bërë 50 ditë prova. Gjatë provave kemi qeshur shumë, tani e kemi lënë të qeshë publiku. Besoj se do të ketë sukses. Tragjedia e dikujt është komedi për dikë tjetër”, tha Hamdi Rashidi, Regjisor.
Komedia “Zbuluesi i gënjeshtrave”, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, është projekt i vitit 2023, që ka kaluar në konkurs për t’u realizuar në 2024. Premiera e shfaqjes do të jetë të enjten, më 21 nëntor në orën 20:00, në teatrin shqiptar. /Alsat.mk