Tërmeti në Izmir, Erdogan: Jemi pranë qytetarëve!

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka publikuar një mesazh solidariteti për qytetarët e prekur nga tërmeti me magnitudë 6,9 ballë Rihter që goditi brigjet e Egjeut, pranë Izmirit.

“U uroj të shkuara të gjithë qytetarëve tanë që u prekën nga tërmeti në Izmir”, shkroi presidenti turk në Twitter.

“Ne qëndrojmë pranë qytetarëve tanë që u prekën nga tërmeti me të gjitha mjetet e shtetit tonë. U mobilizuam me të gjitha institucionet tona përkatëse dhe ministrat tanë për të filluar punën e nevojshme në rajon”, tha Erdogan.

Ndryshe, një tërmet i fuqishëm në Detin Egje ka tronditur Turqinë dhe Greqinë. Ministri i brendshëm i Turqisë tha se gjashtë ndërtesa në provincën perëndimore të Izmirit u shkatërruan, raporton AP.

Organi për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë tha se tërmeti i së premtes kishte një magnitudë 6.6 deri 6.9 të shkallës të Rihterit.

Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare tha se tërmeti kishte magnitudë prej 6.9 shkallësh me një epiqendër 13 kilometra në verilindje të ishullit grek të Samos. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara njoftoi për një fuqi 7.0 shkallë të Rihterit.

Mediat turke shfaqen pamje të rrënojave të një ndërtese shumëkatëshe në Izmirin qendror, dhe njerëz që ngjiteshin në të për të arritur tek ekipet e shpëtimit. Pamjet tregonin edhe për tym në disa pika në Izmirin qendror.

Tërmeti u ndje gjithashtu në të gjithë ishujt lindorë grekë, dhe madje edhe në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë. Mediat greke thanë se banorët e Samos dhe ishujve të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre. Nuk ka raportime të menjëhershme për të plagosur.

LEXO EDHE:

Back to top button