Tërmeti vdekjeprurës trondit Turqinë e Sirinë

Tërmeti vdekjeprurës trondit Turqinë e Sirinë

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Turqia është zgjuar e tronditur mëngjesin e sotëm, pasi një tërmet shkatërrues 7.8 ballë ka prekur zonën juglindore të vendit si edhe Sirinë veriore. Epiqendra e tërmetit ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet. Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën. Në Turqi dhe Siri po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave, ndërsa në dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti.

Agjencia për menaxhimin e emergjencave raportoi se në mesditë u regjistrua edhe një tërmet i ri prej 7.6 ballësh, afër epiqendrës së tërmetit paraprak vdekjeprurës, duke shkaktuar dridhje të tjera të tokës.

“Për shkak se pastrimi i rrënojave po vazhdon në shumë ndërtesa që gjenden në zonën e tërmetit, ne nuk e dimë se sa do të rritet numri i të viktimave dhe të plagosurve”, tha Rexhep Tajip Erdogan, President i Turqisë.

Kreu i Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se rreth 3000 ndërtesa janë shkatërruar nga tërmeti dhe lëkundjet pasuese të përqendruara në provincën Kahramanmaras, duke theksuar se janë regjistruar edhe 120 lëkundje të tjera pas tërmetit.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, që jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë.

“Kur arritëm në hyrje të ndërtesës ajo u shemb totalisht mbi ne. Zoti na shpëtoi dhe një derë druri ra mbi ne e cila na shpëtoi. Tre fëmijët e mi janë këtu me plagë në kokë dhe në fytyrë dhe vajza ime shpëtoi pa asnjë lëndim. Gjithashtu gruaja ime ka plagë në kokë dhe në fytyrë. Ndërtesa ka katër kate, asnjë nga njerëzit në tre katet e tjera nuk ka mbijetuar”, u shpreh Osama Abdilhamid, I mbijetuar.

“Besojmë se ka ende shumë të bllokuar nën rrënoja. Mbrojtja civile dhe agjencitë e tjera, madje edhe ushtria po na ndihmon për të shpëtuar qytetarët”, shtoi Amer Ismail, kryetar i Latakias, Siri.

Shtëpia e Bardhë ofroi menjëherë ndihmë pas tërmetit, përmes këshilltarit të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan që i përcolli palës turke të gjithë gatishmërinë e SHBA-së për t’iu gjendur në krah vendit në këto momente të vështira. Mesazhe solidariteti e mbështetje dhe oferta për ndihmë mbërritën dhe nga shefi i politikës së jashtme të BE-së, Jospeh Borell. Izraeli gjithashtu ishte ndër të parët vende që u nxitoi të ofronte asistencë për autoritetet turke. Rusia e Ukraina e kanë harruar për pak kohë konfliktin e tyre, duke u fokusuar tek fatkeqësia. Moska njoftoi se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjithashtu deklaroi: “Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme.” Ndihmë me ekipe të zjarrfikësve dhe qen shpëtimi premtoi dhe Polonia e India./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button