Tetova, pa infrastrukturë për personat me karroca

Tetova, pa infrastrukturë për personat me karroca

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Personat me nevoja të posaçme në Tetovë përballen me vështirësi të shumta gjatë kryerjes së obligimeve të tyre të përditshme. Mungojnë kushtet elementare. Pothuajse të gjitha rrugët, trotuaret dhe institucionet janë të pa qasshme pasi nuk kanë infrastrukturën e duhur për këtë kategori të qytetarëve.

Studenti Gadaf Memedi thotë se lëvizja me karrocë nëpër rrugët e qytetit është një sfidë e madhe. Edhe ato pak investime që janë bërë, sipas tij janë të rrezikshme për t’u shfrytëzuar.

“Ky është një nga problemet kryesore. E patë, ekziston përveç pjesës së dukshme, edhe ajo që nuk duket, ajo e institucioneve që thonë se kanë një rampë për ne, por kjo është sa për sy e faqe, sepse janë të rrezikshme nga se duke u munduar të ngjitesh përpjetë mund të rrotullohesh prapa dhe të biesh. Gjë që më ka ndodhur mua në spital tek urgjenca, ku rampa është diçka skandaloze me një pjerrtësi aq të madhe sa që s`mund të ngjitesh”, u shpreh Gadaf Memedi. Student.

Memedi gjithashtu kritikon edhe një pjesë të qytetarëve. Thotë se vetëdija e disave është aq e ulët saqë bllokojnë edhe ato pak vende që janë në dispozicion për qarkullim.

“Edhe në vende ku ka rampa, ndodh që ndonjë qytetar ose parkohet aty ose len diçka dhe e bllokon vendin dhe shumë pak janë të qasshme. Rrugët janë një problem ende më i madh, sepse përveç që nuk kanë rampa, janë edhe rrugë mashtruese, sepse duket që ka rampë dhe mendon se mund të hysh, dhe pasi futesh e sheh anën tjetër që s`ka fare rampë dhe detyrohemi të kalojmë në rrugë për automjete”, tha Gadaf Memedi. Student.

Nga shoqata e personave me paralizë cerebrale, thonë se, apelet për përmirësimin e kushteve janë të shumta, por përgjigjet mbesin vetëm fjalë të bukura.

“Disa institucione që bënë kalime për personat me nevoja të veçanta nuk i kanë bërë në mënyrë të duhur. Një kalim që të jetë si duhet për këto persona, këndi i saj nuk duhet të jetë më i madh se pesë shkallë, ndërsa në shumë institucione shohim se ky kënd është shumë i larta madje edhe 40 shkallë, ku s`mund njeriu i shëndoshë të ngjitet aty e lere më person me karrocë”, tha Zoran Andonov. Kryetar i shoqatës së personave me paralizë cerebrale.

Nga komuna e Tetovës thonë se kanë bërë projekt bashkë me Byronë për Zhvillim Rajonal, por nuk u miratua. Sipas kreut të komunës po kërkohen fonde nga jashtë me qëllim të sigurimit të infrastrukturës përkatëse për të gjithë qytetarët. Në Tetovë rreth 2.000 persona janë me nevoja të posaçme, pjesa më e madhe e të cilëve si mjet për lëvizje përdorin karrocën./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button