Thaçi deklarohet i pafajshëm, mbrojtja do të kërkojë lirimin me kusht

Në seancën fillestare, ish-drejtori politik i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës ndaj tij.

Mbrojtja ka deklaruar se do të kërkojë lirimin me kusht të ish-presidentit Thaçi derisa ka pyetur prokurorinë pse nuk përmenden në aktakuzë pretendimet për ‘vjedhje’ të organeve, dhe ‘historia e Shtëpisë së Verdhë’, për çka siç theksoi ai, edhe është krijuar Gjykata Speciale.

Në seancën e parë, Thaçi nuk ka dashur të flasë, përveç se të deklarohet i pafajshëm.

“I nderuari gjykatës, akuza është krejt e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm plotësisht”, tha Thaçi.

Ish-presidenti i Kosovës ka thënë se i hedh poshtë të gjitha pikat e aktakuzës së ngritur ndaj tij.

“I dëgjova dhe i kam lexuar, dhe i hedh poshtë të gjitha”, tha Thaçi kur u pyet sa i ka kuptuar akuzat që janë në aktakuzën e konfirmuar ndaj tij.

Por ka folur mbrojtja e tij, avokati David Hooper i cili pyeti se pse nuk përmenden në aktakuzë pretendimet për ‘vjedhje’ të organeve njerëzore, që siç theksoi ai, ishin ato pretendimet që nxitën themelimin e Gjykatës Speciale.

“Ku janë këto pretendime për vjedhje të organeve njerëzore dhe historia e shtëpisë së verdhë, e cila ishte kaq e rëndësishme në nxitjen për krijimin e kësaj gjykate, duke ndjekur atë në formë kaq dramatike në librin e Carla Del Ponte dhe që u ndoq pastaj nga Dic Marty? Jo që është vetëm njollë ndaj kosovarëve, por edhe pretendimi që krijoi këtë gjykatë të Kosovës. E them gjykatë e Kosovës, por nuk ka asgjë nga Kosova, nuk ka asnjë emblemë të Kosovës. Thaçi i dinte që ishin këto pretendime gjepura, duke e ditur këtë ndihmoi Komisionin Evropian në krijimin e kësaj gjykate”, tha Hooper.

Hooper tha se në javët në vijim do të kërkojë lirimin e Hashim Thaçit, por që ketë do ta bëjë pasi të marrë përgjigje gojarisht nga prokuroria se çka pretendon se është ‘rrezik i arratisjes së tij’.

“Pasi kam menduar më gjatë, mendojmë që nuk është e përshtatshme të bëhet kjo kërkesë pa e ditur se çfarë pretendon prokuroria se është rreziku  i arratisjes. Ai është këtu kështu që këtë sugjerim mund ta heqim, me sa duket menduat që ishte rrezik për arratisje. Kërkesa për lirim të bëhet javët e ardhshme, pasi të kem marrë këtë informacion. A e meriton ky person të mbahet i paraburgosur apo jo, duke marrë parasysh prezumimin nga kjo gjykatë, që prezumohet liria përveç rasteve kur ka disa arsye për të justifikuar paraburgimin”, tha ai.

Hooper drejtoi kritika për gjithë procesin, ku tha se rreth zhvillimeve të fundit mbrojtja është njoftuar me vonesë, e si shkak i kësaj, ai shtoi se nuk kanë mundur të sjellin në Hagë gjithë ekipin mbrojtës.

Ai ka kundërshtuar edhe vendosjen e prangave për Thaçin, diçka që ai e konsideroi të turpshme.

“Zotëri gjykatës është detyra jote, e gjykatësve të gjejë një bilanc dhe të vërtetën. Këta janë hapa të vegjël fillestarë, por shpresoj që me kalimin e kohës reputacioni i këtij personi të bie në vend. Më duhet të them që isha i çuditur kur u futa në këtë dhomë dhe e shoh të lidhur me pranga. Është për të ardhur trup. Ju nuk jeni organ ndëshkimi, besoj që është kështu, besoj që do të bëni diçka për ta trajtuar këtë dhe mos e ulni dinjitetin e një personi deri në një pikë të tillë”, tha ai.

Por, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se “nuk ka trajtim të posaçëm për klientit tuaj dhe se kjo është procedura që aplikojmë për çdo person që vjen në sallën e gjyqit”.

Në seancën e sotme mbrojtja ka folur për Thaçin, duke u mbështetur edhe në librin e shkruar për të e ndër të tjera lexoi citimet e senatorit Bob Dole dhe Joe Biden më 2017, tash president i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Mendoj që është e përshtatshme të them disa fjalë për Hashim Thaçin, që unë mund ta paraqes këtu si njeri me integritet, që i ka shërbyer vendit të tij në luftë e paqe, një burrë që ka arritur shumë dhe nuk i meriton këto pretendime… Sipas një citimi thuhet Hashim Thaçi është Xhorxh Uashingtoni i Kosovës. Këtë e ka thënë Joe Biden, zëvendës president amerikan më 2017”, tha ai.

Konferenca rreth ecurisë së çështjes ndaj Thaçit do të bëhet e ditur në ditët në vijim, ndërkohë që ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim.

Hashim Thaçi, një prej figurave kryesore të UÇK-së ka udhëtuar në Hagë më 5 nëntor 2020. Po atë ditë, pas konfirmimit të aktakuzës, ai ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit. Një ditë më vonë, hetuesit e Speciales, në bashkëpunim me policinë e EULEX-it kanë bastisur shtëpinë e tij në Prishtinë.

LEXO EDHE:

Back to top button