“Thikë pas shpine”: Franca denoncon paktin SHBA-Britani-Australi ndaj Kinës

“Ky vendim brutal, i njëanshëm dhe i paparashikueshëm m’i rikujton fort ato gjëra që i bënte Trumpi”, ka theksuar ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, duke folur për radiostacionin “Franceinfo”. “Jam i zemëruar dhe i trishtuar. Një gjë e tillë nuk u bëhet aleatëve”

Franca ka akuzuar të enjten presidentin amerikan, Joe Biden, se ia ka “ngulitur thikën pas shpine” dhe se po sillet sikurse pararendësi i tij, Donald Trump, pasi që Parisit i është pamundësuar jetësimi i marrëveshjes së majme të mbrojtjes për blerjen e nëndetëseve, të nënshkruar me Australinë.

Reagimi i ashpër i Parisit është adresuar në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Australia kanë zgjeruar partneritetin e sigurisë në rajonin indo-paqësor kundër Kinës dhe në kuadër të të cilit Australia do të sigurojë nëndetëse bërthamore amerikane duke e shkëputur ujdinë me Francën që e kap shifrën prej 40 miliardë dollarësh.

“Ky vendim brutal, i njëanshëm dhe i paparashikueshëm m’i rikujton fort ato gjëra që i bënte Trumpi”, ka theksuar ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, duke folur për radiostacionin “Franceinfo”. “Jam i zemëruar dhe i trishtuar. Një gjë e tillë nuk u bëhet aleatëve”.

Veprimin e ka denoncuar të enjten edhe Kina, duke pretenduar se partneriteti trepalësh nuk do të duhej të shënjestronte vendet e treta dhe se do të mund ta intensifikonte garën e armëve në rajon, ka raportuar Reuters.

Në kuadër të marrëveshjes, e njohur si AUKUS, SHBA-ja dhe Britania do ta furnizojnë Australinë me teknologji dhe kapacitete për vendosjen e nëndetëseve bërthamore.

Presidenti Biden, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe ai australian, Scott Morrison, nuk e përmendën specifikisht Kinën në njoftimin e përbashkët ndërkaq zyrtarët e lartë të administratës Biden, të cilët i informuan gazetarët lidhur me paktin, bënë të ditur se partneriteti nuk ishte i dedikuar për ta sfiduar Pekinin.

“Që të gjithë jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e garantimit të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Indo-Paqësor”, ka thënë Biden, raporton Reuters. “Duhet të jemi në gjendje që t’i adresojmë si mjedisin aktual strategjik në rajon ashtu edhe mënyrën se si mund të angazhohemi, ngase e ardhmja e akëcilit prej vendeve tona dhe e gjithë botës varet nga një Indo-Paqësor i lirë dhe i hapur gjatë dekadave në vijim”, ka shtuar ai.

Mirëpo zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, ka specifikuar se tri vendet po “i dëmtonin rëndë paqen dhe stabilitetin rajonal, duke i intensifikuar garën e armëve, si dhe përpjekjet globale për moszgjerimin bërthamor”, ka raportuar Reuters.

Ndërkaq Johnsoni ka siguruar se pakti nuk u dedikohej kundërshtarëve, porse do të ulë koston e gjeneratës së ardhshme të nëndetëseve bërthamore të Britanisë.

LEXO EDHE:

Back to top button