Transportuesit privatë i rikthehen bllokadës, me 200 autobusë do të bllokojnë njërën korsi të “Ilindenskës”

Transportuesit privatë i rikthehen bllokadës, me 200 autobusë do të bllokojnë njërën korsi të “Ilindenskës”

Gazetar: Mefail Ismaili

Transportuesit i rikthehen bllokadës së rrugëve të Shkupit. Nesër 200 autobusë privatë nga ora 6 e mëngjesit do të bllokojnë rrugën “Ilindenska”, në korsitë e djathta në të dy drejtimet nga Qeveria deri te kryqëzimi te salla “Boris Trajkovski”. Transportuesit dalin në rrugës sërish pasi nuk është arritur kurrfarë marrëveshje me Qytetin e Shkupit, për borxhin prej rreth 2 milionë eurosh. Ndërkohë paralajmërohen bllokada edhe më të mëdha nga e hëna.

“Nëse nuk ka reagim, nëse nuk ka rezultat dhe nëse nuk ulen në tavolinë e nëse dikush me insistime dëshiron që të zbatojë ndonjë agjendë personale që është jashtë të gjitha interesave atëherë të hënën këto 200 autobusë do të rigrupohen dhe do t’i bllokojnë në tërësi udhëkryqet tek “Mavrovasja”, udhëkryqi tek Kryqi i Kuq dhe rrugën “Ilindenska”, deklaroi Lenin Jovanovski, “Slloboda Prevoz”.

Jovanovski theksoi se derisa autobusët do të bllokojnë rrugën, transportuesit privatë do të grumbullohen te hyrja e qytetit të Shkupit. Ai e akuzon kryetaren e Shkupit Danella Arvoska se po flet të pavërteta kur thotë se transportuesit privatë kanë vetëm 70 autobusë.

“Kjo është me përditësimin më të fundit dhe me vulë të Qytetit të Shkupit dhe nënshkrim të znj. Danella Arsovska edhe zotërinjve që janë në sektorë ku ekziston lista e të gjithë automjeteve që, përmes personave juridik që kanë licencë, kanë marrë certifikatë të licencës për të kryer transport në Qytetin e Shkupit, i cili përfundon me numrin 131, atë që e kam nga Makekspres është se atje ka 77 autobusë, që do të thotë se gjithsej janë 208 autobusë”, tha Lenin Jovanovski, “Slloboda Prevoz”.

Pas konferencës për shtyp nga drejtori i Slloboda Prevoz, Lenin Jovanovski, Qyteti i Shkupit njoftoi se e ka ndërprerë kontratën edhe me këtë Shoqëri të transportuesve privatë për shkak të mosplotësimit të obligimeve të marrëveshjes. Nga Qyteti i Shkupit u kanë bërë thirrje të gjithë transportuesve privatë që të paraqiten në thirrjen publike, e cila do të publikohet gjatë javës së ardhshme për lidhjen e marrëveshjeve të drejtpërdrejta për transport publik. Në kumtesën e Qytetit të Shkupit thuhet se mënyra e këtillë do të jetë më transparente dhe më e lehtë për tu zgjidhur problemet. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button