Transportuesit privatë: Transporti publik po shkon drejt kolapsit

Transportuesit privatë: Transporti publik po shkon drejt kolapsit

Gazetar: Mefail Ismaili

Transportuesit privat në shenjë proteste kanë nxjerrë para qytetit të Shkupit, disa nga autobusët e tyre. Madje edhe autobusin me të cilin kryetarja Danella Arsovska bënte fushatë për transport pa pagesë gjatë fushatës parazgjedhore. Transportuesit kërkojnë që Arsovska t’i pranojë në takim, pasi sipas tyre, sekretari Zoran Gligorov e ka informuar gabim për gjendjen me borxhin. Nga “Slloboda Prevoz” thonë se pas 32 viteve punë në transportin publik kanë mbërritur në prag të ekzistencës.

“Jemi në prag të urisë, kur them të urisë kjo është fjalë e vogël, jemi në situatë të na trokasin përmbarues në derë për shkak se kemi borxhe për naftë, kredi dhe punë të ngjashme. Asgjë tjetër nuk kërkojmë. Ne jemi njerëz familjar ku shumica prej nesh më shumë se 30 vite e bëjnë këtë veprimtari, transport publik në Qytetin e Shkupit dhe jam i bindur se pa praninë dhe ndihmën tonë në kryerjen e transportit, do të vijë në kolaps të transportit publik edhe pse deklaratat janë të kundërta nga disa shërbime të Qytetit”, deklaroi Kemal Muriç, transportues privat “Slloboda Prevoz”.

Nga “Makekspres trans” thonë se nuk mund të pranojnë prishjen e kontratave nga Qyteti i Shkupit, derisa borxhet nuk paguhen tanimë një kohë të gjatë dhe rriten vazhdimisht.

“Ne nuk mund ta pranojmë këtë dhe e lusim kryetaren që ta shqyrtojë këtë vendim dhe ta tërheq marrëveshjen. Ne nuk kemi dalje tjetër, atë e kishim ekzistencë të vetme dhe ne do të shkojmë deri në fund, edhe me grevë edhe me protesta, me gjithçka. Në çdo mënyrë do të kërkojmë realizimin e të drejtave tona sepse mendojmë se me pa të drejtë na është bërë kjo”, u shpreh Isen Halili, transportues privat “Makekspres trans”.

Transportuesit privatë deklarojnë se kanë dëgjuar informata se kryetarja Danella Arsovska po bën lojë me qëllim që të zëvendësojë transportuesit aktual me të tjerë.

“Kemi informata jozyrtare, nuk dëshiroj të besoj në ata se bëhet fjalë për një lojë që do të thotë fillimisht eliminimi i transportuesve privat ose pastrim i terrenit që të hyjë ndonjë tjetër ta ndërmarrë, a do të jetë kompani multi-funksionale ose kompani nga fqinjësia nuk është me rëndësi, por fatkeqësisht kemi informatë të tillë. Nëse arrihet deri këtu do të jetë e qartë për çfarë bëhet fjalë për momentin…”, deklaroi Kemal Muriç, transportues privat “Slloboda Prevoz”.

Transportuesit thonë se nuk kërkojnë që i gjithë borxhi prej më shumë se 1,5 milionë euro nga Qyteti i Shkupit t’u paguhet menjëherë, por gradualisht, me qëllim që të kenë para për naftë dhe për të paguar borxhet në pompat e benzinës dhe kreditë e marra për autobusët. Ata thonë se nëse Arsovska nuk tenton të gjej zgjidhje atëherë do të lë pa punë 221 transportues privatë. Paralajmërojnë se do të luftojnë deri në fund për të drejtat e tyre./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button