Tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë deri në fund të vitit iu përfundon mandati

Tre anëtarëve të Këshillit Gjyqësorë deri në fund të vitit iu përfundon mandati

Gazetar: Suad Bajrami

Derisa vazhdon debati nëse është e arsyeshme ose jo shpërndarja e Këshillit Gjyqësor, deri në fund të vitit, tre anëtarëve të Këshillit do t’u mbarojë mandati i rregullt gjashtëvjeçar. Gjegjësisht, Sashko Georgievit në shtator, ndërkaq Lloreta Georgievës dhe Mirsad Surroit më dhjetor. Nëse qeveria nuk heq dorë nga ideja e shpërndarjes së përbërjes aktuale të Këshillit, për të cilën kritikohet në vazhdimësi nga ekspertët dhe faktori ndërkombëtar, trupi i cili numëron 13 anëtarë pa llogaritur ministrin e Drejtësisë dhe kryetaren e Gjykatës Supreme, do të duhet të rinovohet me anëtarë të rinj edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Foto: InfoGrafik

Ky, mbase është dhe rekomandimi i ekspertëve, që Këshilli të reformohet duke u rinovuar me kuadro të rinj. Kështu, më 9 korrik të vitit 2025 i mbaron mandati Milazim Mustafës, ndërkaq në dhjetor mandati u përfundon edhe dy figurave më të diskutuara në Këshillin Gjyqësor, kryetares Vesna Dameva dhe anëtarit i cili po ushtron mandatin e dytë, Selim Ademi.

Anëtarit të shtatë të përbërjes aktuale i mbaron mandati menjëherë në fillim të vitit 2026, ndërkaq në fund të këtij viti i mbaron edhe Pavlina Cërvenkovskës. Në fund të vitit 2027 mandatin e përfundon edhe Tanja Çaçarovska Ilievska, ndërkaq në shtator të vitit 2029 Antoaneta Dimovska. Dy anëtarëve të sapozgjedhor Isamedin Limani dhe Aleksandar Kambovski, mandati u mbaron në vitit 2030.

Sipas ligjit, anëtarëve të këshillit mund t’u ndërpritet mandati edhe në disa baza tjera si për shembull, me kërkesë të tij, nëse shkarkohet nga funksioni i gjykatësit sipas ligjit apo nëse dënohet me aktgjykim të plotfuqishëm për vepër penale të detyrës dhe autorizimit zyrtar. Bazë për ndërprerjen e mandatit është edhe nëse konstatohet paaftësi e përhershme për kryerjen e funksionit dhe nëse zgjedhet në funksion ose profesion tjetër.

Sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor, përbërja e Këshillit duhet të përfshijë 8 anëtarë nga radhët e gjykatësve, 3 nga të cilët duhet të jenë nga komunitetet joshumicë në vend. 5 të tjerët i zgjedhin Kuvendi dhe presidentja. Gjegjësisht, 3 Kuvendi i Maqedonisë me shumicë votash, ndërkaq 2 të tjerë presidenti, por i voton Kuvendi.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor, i cili mes tjerash ka kompetencë për të zgjedhur dhe emëruar gjykatës, në vazhdimësi është në shënjestër të kritikave për shkak të politizimit. Kryeministri Hristijan Mickoski, në disa dalje, por edhe në programin qeveritar, premton shpërndarjen e Këshillit Gjyqësor dhe ai i Prokurorëve pasi kanë humbur besueshmërinë te qytetarët. Në program, shkruan se Qeveria do të iniciojë edhe ndryshime të Kushtetutës në pjesën e rregullimit të përbërjes së këshillave, gjatë së cilës do të kërkohet që anëtarët të zgjedhën nga radhët e gjykatësve dhe prokurorëve. Kjo ide, ka përplasur kreun e qeverisë me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, të cilët, këtë masë e shohin si ndërhyrje direkte të pushtetit ekzekutiv në atë gjyqësor. Edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi sundimin e ligjit në vend theksohet se me një veprim të tillë qeveria do ta minonte pavarësinë e trupave që mbikëqyrin punën e gjykatësve dhe prokurorëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button