Trump mbështet organet e zbatimit të ligjit në Kenosha – ALSAT-M


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vizituar Kenoshan në Uiskonsin, për të mbështetur autoritetet e zbatimit të ligjit dhe bizneset lokale pas trazirave që kanë përfshirë këtë qytet.

Presidenti Trump e shfrytëzoi vizitën e tij më 1 shtator për të afirmuar mesazhin e tij “të rendit dhe ligjit” si dhe për të kritikuar demokratët.

Protestat në Kenosha shpërthyen pasi policia më 23 gusht qëlloi shtatë herë afrikano-amerikanin, Jacob Blake, derisa po e arrestonte atë.

Familja e Blake thotë se ai tani është paralizuar.

Trump vizitoi qendrën e Kenoshas, ku më shumë se 30 biznese u shkatërruan ose dëmtuan gjatë trazirave dhe plaçkitjeve në netët e para të protestës.

“Këto nuk janë akte të protestës paqësore, por në të vërtetë terror i brendshëm”, tha Trump pasi vizitoi pjesët e dëmtuara në qytet.

Ai kritikoi demokratët, të cilët udhëheqin me Uiskonsinin dhe Kenoshan, për mos pranimin e menjëhershëm të ofertës së tij të ndihmës federale.

Trump gjithashtu premtoi mbështetje federale për bizneset lokale dhe autoritetet e zbatimit të ligjit, por nuk bëri të ditura më shumë detaje për burimin e fondeve.

Presidenti kundërshtoi retorikën anti-policore dhe hodhi poshtë pretendimet e demokratëve se ekziston një racizëm strukturor në vend dhe departamentet e tij të policisë.

Presidenti Trump nuk u takua me familjen Blake, e cila mbajti një ngjarje me bazë në komunitet disa kilometra larg vendit ku presidenti zhvilloi vizitën.

Në ditët e fundit, niveli i dhunës në Kenosha është ulur pasi guvernatori demokrat i Uiskonsinit, Tony Evers, vendosi në rrugë Gardën Kombëtare për të shuar demonstratat.

Evers dhe demokratët lokalë i kishin kërkuar Trump të mos vizitonte qytetin për shkak të, siç kanë thënë, shqetësimeve se vizita e presidentit mund të nxisë dhunën.

Uiskinson është shteti kryesor i betejës në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 3 nëntor. Në këto zgjedhje Trump garon për rizgjedhje ndaj rivalit demokrat, Joe Biden.

Të përballur me sondazhet që tregojnë për rënie të përkrahjes ndaj presidentit Trump për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe pasojave të saj ekonomike, ekipi i fushatës së Trumpit është përpjekur të fajësojë demokratët për dhunën në protesta, duke thënë se ish-nënpresidenti, Joe Biden, është pjesë e së majtës radikale.
Biden më 31 gusht dënoi trazirat dhe plaçkitjet në protesta ndërsa fajësoi Trump për ngritjen e tensioneve në vend.

LEXO EDHE:

Back to top button