Trump vendos tarifa prej 25% në të gjitha importet e çelikut dhe aluminit
Trump vendos tarifa prej 25% në të gjitha importet e çelikut dhe aluminit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur 25 për qind tarifa në të gjitha produktet e çelikut dhe aluminit që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, duke kërcënuar me përshkallëzim të luftës tregtare, që ka tronditur tregjet në gjithë botën. Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar se masat do të hyjnë në fuqi prej 4 marsit. Tarifat do të zbatohen për miliona tonë të importeve të çelikut dhe aluminit nga Kanadaja, Brazili, Meksika dhe Koreja e Jugut, si dhe shtete tjera, mallrat e të cilave kanë hyrë në SHBA pa ndonjë taksë shtesë. Ekspertët kanë thënë se tarifat do të prekin gjithë ekonominë e botës. Ndërkohë shefja e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen u zotua se tarifat e SHBA-së për çelikun dhe aluminin “nuk do të mbeten pa përgjigje”, duke shtuar se ato do të shkaktojnë kundërmasa të ashpra nga blloku 27-vendesh. Ndërkohë zv.presidenti ekzekutiv i Komisionit Evropian iu drejtua anëtarëve në një seancë plenare në Strasburg duke theksuar se vendimi mund të ketë efekte shkatërruese për sistemin global të tregtisë.
“Fatkeqësisht, tarifat u kthyen brenda natës. Tramp ka paralajmëruar gjithashtu tarifa reciproke për produktet e tjera. Na vjen keq shumë për këto vendime. BE-ja nuk sheh asnjë justifikim për vendosjen e tarifave mbi eksportet tona, gjë që është ekonomikisht kundërproduktive, veçanërisht duke pasur parasysh zinxhirët e prodhimit të integruar të krijuar përmes lidhjeve tona të gjera tregtare dhe investimesh transatlantike. Tarifat janë të këqija për biznesin, ndërsa edhe më të këqija për konsumatorët. Tarifat nuk janë vetëm të dëmshme për partnerët tregtarë të përfshirë drejtpërdrejt, por gjithashtu rrezikojnë të kenë efekte shkatërruese për shumë të tjerë, si dhe për sistemin global të tregtisë në tërësi. E thënë thjesht, është një skenar i humbjes”, deklaroi Maros Sefcoviq, Zv.president Ekzekutiv i KE-së. /Alsat.mk