Udhëheqësit e BE përplasen për shkak të vetos së Hungarisë dhe Polonisë për buxhetin

Në mosmarrëveshjen mbi bllokimin e buxhetit të BE-së dhe fondit të ndihmës për koronën nga Hungaria dhe Polonia, nuk duket ndonjë zgjidhje e shpejtë në horizont. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE u morën vetëm shkurtimisht me këtë çështje gjatë një videokonference. Kancelarja Angela Merkel tha se kemi të bëjmë me një “problem shumë serioz” dhe se si kryesuese e radhës e BE-së do të vazhdojë bisedimet për të gjetur një zgjidhjeje me Budapestin dhe Varshavën.

Nga buxheti dhe ndihmat varet puna e shumë vetëve

Nënpresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans tha se është në interesin e të gjithëve që të gjejmë shpejt një zgjidhje, sepse prej saj varet rimëkëmbja jonë ekonomike dhe puna e shumë vetëve. “E gjithë ajo që u kërkohet vendeve anëtare është të respektojnë traktatet që ata kanë nënshkruar dhe ratifikuar. Kjo është gjithçka.” – tha Timmermans.

Edhe Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, bëri thirrje që paketa e ndihmës prej 750 miliardë eurosh për koronën të hyjë në fuqi pa vonesë, sepse u mundëson vendeve që kanë pak hapësirë buxhetore që të mbështesin ekonominë në pandemi.

Pak të reja rreth koronës

Presidenti i Këshillit të BE Charles Michel kishte shkruar në Twitter se takimi do t’i kushtohej kryesisht koordinimit të përpjekjeve për të luftuar virusin korona duke u përqëndruar në njohjen reciproke të testeve të koronës, përgatitjet për vaksinimet dhe një qasje të përbashkët për heqjen e kufizimeve të vendosura për shkak të koronës.

Asgjë të re nga negociatat për Brexitin

Një çështje tjetër që diskutuan krerët e shteteve dhe qeverive ishte statusi i negociatave për Brexitin. Në mediat britanike kanë qarkulluar ditët e fundit thashethemet se marrëveshja tregtare me Britaninë e Madhe gjendet para nënshkrimit. Por diplomatët e BE-së i shuan shpresa të tilla me fjalët “nuk ka asgjë për të ushqyer këtë optimizëm.”/DW

LEXO EDHE:

Back to top button