Ukraina konfirmoi evakuimin e 264 ushtarëve nga fabrika e çelikut, Azovstal

Ukraina konfirmoi evakuimin e 264 ushtarëve nga fabrika e çelikut, Azovstal

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Më shumë se 260 ushtarë ukrainas, shumë prej të cilëve të plagosur, janë evakuuar nga fabrika e çelikut Azovstal në qytetin port të Mariupolit, duke ia lënë kontrollin e qytetit Rusisë pas 82 ditësh bombardime. Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se 53 ushtarë të plagosur rëndë u evakuuan në një spital në qytetin e kontrolluar nga Rusia të Novoazovsk dhe se më shumë se 200 të tjerë u transportuan përmes një korridori në Olenivka.

“Fatkeqësisht, ne nuk kemi një mundësi për të zhbllokuar Azovstal në një mënyrë ushtarake. Detyra më e rëndësishme e Ukrainës dhe e gjithë botës është të shpëtojë jetën e mbrojtësve të Mariupolit”, u shpreh Hanna Maliar, Zëvendës ministre e mbrojtjes së Ukrainës.

“Dua të nënvizoj se Ukrainës i duhen të gjallë heronjtë ukrainas. Unë mendoj se çdo person adekuat e kupton atë. Është një punë që kërkon kohë dhe shumë kujdes”, tha Vollodimir Zelenski, President i Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamjet për të cilët thanë se janë ushtarë ukrainas të nxjerrë nga fabrika e çelikut Azovstal. Disa ushtarë shihen duke hipur në një autobus, ndërsa të tjerë morën trajtim ndërsa shtriheshin në barela brenda një automjeti.

“Dorëzimi i militantëve të njësisë nacionaliste Azov të bllokuar në uzinën Azovstal në Mariupol filloi dje”, deklaroi Igor Konashenkov, Zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Siç raporton skynews, një ligjvënës rus, i cili merr pjesë në bisedimet e paqes ka thënë se Rusia duhet të marrë në konsideratë dënimin me vdekje për ata që ai i quajti luftëtarët nacionalistë nga regjimenti Azov i Ukrainës. Këshilltari i presidencial ukrainas Mikhailo Podolyak ka thënë se mbrojtësit e Mariupolit ndryshuan rrjedhën e luftës duke qëndruar për 82 ditë. Ai tha se mbrojtja e qytetit port kishte ndërprerë operacionin e Rusisë për të kapur territorin në lindje dhe jug të vendit. Ushtria ruse ka shënjestruar sërish me artileri spitalin e qytetit Severodonetsk në rajonin e Luhanskut, duke vrarë dhjetë persona dhe duke plagosur tre të tjerë. Kështu deklaroi guvernatori rajonal i Luhanskut, Serhiy Haidai.

Ushtria e Ukrainës pretendon se Rusia po vazhdon ofensivën e saj në lindje të vendit, por duke theksuar se trupat e saj kanë shënuar disa suksese në 24 orët e fundit. Ndërkohë nga sulmet me raketa në Çernihiv raportohet për disa persona të vrarë dhe disa të plagosur. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button