Ukraina pranon humbjen e qyteteve në lindje
Ukraina pranon humbjen e qyteteve në lindje
Gazetar: Shkelzen Aqifi
Forcat e armatosura të Ukrainës kanë pranuar humbjen e disa qyteteve dhe fshatrave në rajonet lindore ndërsa Rusia rrit ofensivën e saj tokësore. Krahas humbjeve, autoritetet ukrainase thanë se nëntë sulme të armikut u zmbrapsën vetëm në rajonet Donetsk dhe Luhansk, me pajisje ruse të shkatërruara duke përfshirë nëntë tanke dhe 11 sisteme artilerie. Trupat ukrainase në thelb po luftojnë në tre drejtime për të parandaluar forcat ruse të marrin nën kontroll të gjitha rajonet e Donetskut dhe Luhanskut.
Ndihmësi i presidentit ukrainas, Mykhailo Podolyak, është shprehur se nuk është arritur asnjë marrëveshje që presidentët Volodymyr Zelensky e Vladimir Putin, të diskutojnë luftën në Ukrainë, pavarësisht përpjekjeve të Turqisë për të organizuar bisedime. Podolyak tërhoqi vëmendjen për rritjen e armiqësive në Ukrainën lindore dhe përpjekjet ruse për të “shkatërruar plotësisht” qytetin port jugor të Mariupolit.
Qyteti i Mariupolit, i rrethuar që më 1 mars, është në gjendje kritike. Shefi i OKB-së Guterres ka dakordësuar në parim një korridor humanitar me Putini për civilët e strehuar në uzinën e çelikut Azovstal. Uzina e çelikut Azvostal është kthyer në kalanë e fundit të rezistencës ukrainase në Mariupol. Në atë uzinë janë strehuar mbi 2000 luftëtarë të Regjimentit Azov dhe mbi një mijë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Sipas organizatave ndërkombëtare situata e tyre paraqitet mjaft e rëndë, po ashtu siç paraqitet edhe situata e mbi 100 mijë qytetarëve të Mariupolit.
Mariupoli ka rëndësi strategjike për Rusinë dhe interesat e saj në Lindje të Ukrainës. Prej ditësh, situata e luftëtarëve ukrainas në uzinën e çelikut Azovstal cilësohet si kritike. Natën e 25 dhe 26 prillit, thuhet se ka pasur 35 bombardime kundër uzinës. Shumë civilë janë varrosur nën rrënoja.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se forcat e saj kishin shkatërruar një sasi të madhe armësh të ardhura nga perëndimi në Ukrainën juglindore me raketa me rreze të gjatë veprimi. Ky reagim ka ardhur pasi u publikuan imazhe të raketave të lëshuara për shkatërrimin e armëve të ardhura nga perëndimi. Rusia pretendon se raketat e saj kanë shkatërruar armët që ndodheshin në një fabrikë alumini në qytetin juglindor të Zaporizhzhia. SHBA dhe Britania kanë nxitur aleatët të dërgojnë më shumë armë të rënda në Ukrainë për të ndikuar në konflikt. Të martën, Gjermania njoftoi se planifikonte të dërgonte tanke kundërajrore, duke shënuar një shkëputje nga qasja e saj e mëparshme e kujdesshme për dërgesat e armëve. /Alsat.mk








