Ukrainë, bombardohet shkolla me 90 të strehuar

Gazetar: Fatlume Dervishi

Shkolla është në fshatin Bilogorivka në rajonin Luhansk të Ukrainës. Guvernatori Serhiy Haidai, i cili postoi fotografi të rrënojave të djegura në aplikacionin e mesazheve Telegram, tha se pasi klubi i përdorur si strehë për mbrojtje nga bombardimet ishte shkatërruar, bodrumi i shkollës ishte i vetmi vend ku vendasit mund të fshiheshin, por “rusët ua hoqën edhe këtë mundësi”. Sipas tij, në momentin e sulmit aty kanë qenë të strehuar 90 njerëz, 30 prej të cilëve u shpëtuan nga rrënojat dhe se misioni i shpëtimit vazhdon, shkruan Alsat.

Guvernatori tha gjithashtu se dy djem të moshës 11 dhe 14 vjeç u vranë nga bombardimet ruse në qytetin Pryvillia, ndërsa dy vajza të moshës 8 dhe 12 vjeç dhe një grua 69-vjeçare u plagosën.

Ditë më parë, në një sulm raketor në një konvikt, u vra një 13-vjeçar, dhe një tjetër adoleshente mbeti e plagosur.

Kombet e Bashkuara bën të ditur se mbi 3 mijë civilë janë vrarë në Ukrainë që prej nisjes së luftës nga Rusia. Ndërsa Kievi konfirmoi se 220 fëmijë kanë humbur jetën që prej 24 shkurtit.

Luftimet më intensive në ditët e fundit kanë qenë në Ukrainën lindore, ku të dy palët janë përfshirë në një betejë të ashpër për të pushtuar ose rimarrë territorin. Ofensiva e Moskës atje është fokusuar në Donbas, ku separatistët e mbështetur nga Rusia kanë luftuar që nga viti 2014.

Marrja e një pasqyre të plotë të betejës që po bahet në lindje ka qenë e vështirë sepse sulmet ajrore dhe breshëritë e artilerisë e kanë bërë jashtëzakonisht të rrezikshme lëvizjen e gazetarëve. Dhe si Ukraina, ashtu edhe rebelët e mbështetur nga Moska që luftojnë në lindje, kanë vendosur kufizime të rrepta për raportimin nga zona e luftimit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button