UNICEF paralajmëron për kërcënim serioz të sëmundjeve dhe urisë në Gaza
UNICEF paralajmëron për kërcënim serioz të sëmundjeve dhe urisë në Gaza
Drejtoresha e UNICEF-it Catherine Russell shprehu shqetësimin për kërcënimin serioz të sëmundjeve dhe urisë për popullatën e Gazës veriore, përfshirë fëmijët, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ajrore izraelite.
Izraeli ka reduktuar në mënyrë drastike fluksin e ndihmave humanitare në Gaza që nga tetori, duke lejuar vetëm një të tretën e shumave të mëparshme të hyjnë në territor.
Civilët dhe infrastruktura civile, duke përfshirë ndërtesat e banimit dhe punonjësit e ndihmës, duhet të mbrohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, theksoi Russell.
Ajo shtoi se evakuimet dhe shpërnguljet e popullsisë nuk i japin askujt të drejtën të trajtojë gjithçka në atë zonë si objektiva ushtarake dhe theksoi se mbetet detyrimi të bëhet dallimi ndërmjet objekteve ushtarake dhe civile dhe të zbatohen të gjitha masat e nevojshme.
Sipas saj, këto parime nuk u respektuan, gjë që solli vdekjen dhe lëndimin e mijëra fëmijëve, si dhe shkatërrimin e infrastrukturës bazë të nevojshme për mbijetesë.
Russell bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të sulmeve ndaj civilëve dhe punonjësve të ndihmës, në një deklaratë të postuar në mediat sociale.
Në të njëjtën kohë, agjencia palestineze Wafa raportoi se mëngjesin e sotëm të paktën nëntë palestinezë u vranë në sulmet ajrore izraelite, të cilat synonin dy shtëpi në Jabalia dhe Beit Lahiya në veri, si dhe në Rafah në jug të Gazës.
Al Jazeera raportoi se sulmet e mëngjesit vranë 23 persona në Gaza, 13 prej tyre në veri të territorit. Shtatë palestinezë të tjerë, përfshirë fëmijë, u raportuan më vonë të vrarë në sulmin në Khan Younis në jug, thanë zyrtarët shëndetësorë për Reuters.