Vazhdojnë luftimet në Ukrainë, në shënjestër objektivat ushtarake dhe ato civile

Gazetar: Isuf Kadriu

Forcat ruse kanë vazhduar sulmet në më shumë rajone të Ukrainës ndërsa në shënjestër kishin objektivat ushtarake por edhe ato civile, bazuar në të dhënat e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase, shkruan Alsat.

Janë bombarduar rajone në Kiev, Çernihiv dhe Kharkiv. Por, shtabi i Përgjithshëm në Kiev tha se forcat ukrainase kanë zmbrapsur me sukses sulmet ruse, të cilat besohet të kenë humbur edhe disa forca ajrore.

“Forcat e Mbrojtjes vazhdojnë me operacionin e mbrojtjes në të gjitha drejtimet. Armiku nuk ia doli në asnjërën prej tyre. Forcat ajrore të armikut vazhdojnë të jenë aktivë, duke goditur nga ajri kryesisht infrastrukturën ushtarake dhe civile në rajonet e Kievit, Çernihiv dhe Kharkiv. Por këtyre sulmeve forcat tona iu përgjigjën me raketa kundërajrore. Kemi goditur 11 objektiva ajrore të armikut, shtatë avionë, një dron, një helikopter dhe dy raketa lundruese”, deklaroi Oleksandr Shputun, Zëdhënës i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Marina e Ukrainës njoftoi ndërkohë se kishte fundosur një anije ruse në detin Asov pranë qytetit port të Berdjanskit. Marina publikoi foto dhe video të zjarrit dhe tymit të dendur që vinte nga zona e portit.

Por, nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjenerali Igor Konashenkov tha se Rusia ka marrë kontrollin e plotë të qytetit të Izyum në Ukrainën lindore, i cili ishte skenë e luftimeve të ashpra ditët e fundit.

“Deri në mëngjesin e 24 marsit, njësitë e ushtrisë ruse morën kontrollin e plotë mbi qytetin Izyum në rajonin e Kharkiv. Në mbrëmjen e 23 marsit dhe natën e 24 marsit, objektet ushtarake të forcave të armatosura ukrainase u goditën me forcë të lartë, me armë precize me rreze të gjatë veprimi me bazë detare dhe ajrore”, tha Igor Konashenkov, Zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë.

Rusia ndërkohë ka pranuar se fushata në Ukrainë nuk është duke ecur sipas parashikimeve të Kremlinit, por nuk jep të dhëna mbi humbjet në radhët e saj. Të dhënat e fundit i ka publikuar më 2 mars kur njoftoi për 500 ushtarë të saj të dhe pothuajse 1600 ishin plagosur. NATO vlerëson, megjithatë, se midis 7,000 dhe 15,000 trupa ruse janë vrarë. Presidenti ukrainas Zelensky thotë se numri i ushtarëve të vrarë rus është shumë më i madh ndërkohë sa i përket humbjeve në radhët e forcave ukrainase ai më parë kishte njoftuar për rreth 1,300 ushtarë të vrarë./Alsa.mk

LEXO EDHE:

Back to top button