Vazhdojnë reagimet e ndërkombëtarëve për korrupsionin e lartë në vend

Vazhdojnë reagimet e ndërkombëtarëve për korrupsionin e lartë në vend

Gazetar: Lluka Andreev

Ditë e re, kritika të reja për luftën me korrupsionin në vend. Pas ambasadores amerikane Angela Ageler dhe ambasadores gjermane Anke Holstein, sot ka mbërritur mesazh i ashpër edhe nga ambasadori britanik në vend, Metju Loson. Ai në Twitter shkroi:

“Raportet e fundit shqetësuese sugjerojnë se korrupsioni në Maqedoninë e Veriut po përkeqësohet dhe nuk përmirësohet. Korrupsioni minon sundimin e ligjit, krijon mosbesim në gjyqësor dhe dobëson institucionet publike. Britania e Madhe qëndron me Maqedoninë e Veriut. Është absolutisht e rëndësishme të merreni me këtë”, deklaroi Metju Loson – ambasador i Britanisë së Madhe.

Ambasadori evropian Dejvid Gir, nga ana tjetër, thotë se vendi tani është në një udhëkryq. Sipas tij, ka progres, por korrupsioni mbetet i pranishëm gjithandej në institucione dhe në sektorin e shërbimeve.

“Pse disa pozicione publike duhet të përcaktohen mbi bazën e përkatësisë politike dhe jo meritës? Pse disa fëmijë duhet të punojnë shumë për të marrë kualifikimet e tyre e disa të tjerë jo? Ky problem është i madh dhe në muajt e fundit kam qenë dëshmitar i disa ngjarjeve që kanë dëshpëruar shumë qytetarë”, tha Dejvid Gir – ambasador i BE-së.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq thotë se skriningu me Bashkimin Evropian do të kontribuojë në luftën kundër korrupsionit. Ai siguron se ka vullnet politik për luftën kundër korrupsionit.

“A mjafton kjo? Sigurisht që jo. Ka ndryshime, ka progres, por jemi larg vendit ku do të donim të ishim”, deklaroi Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

“Është një dukuri negative që pa përjashtim gjithmonë ka dy palë dhe ato dy palë dhe ata që e praktikojnë janë pjesëmarrës për të arritur një përfitim të caktuar. Ata kanë të njëjtën përgjegjësi”, tha Fatmir Besimi – Ministër i Financave.

Në ditën e sotme ndërkombëtare për luftën kundër korrupsionit në Qeveri shqyrtohen rekomandimet nga Raporti i Komisionit Evropian në këtë fushë. Të pranishmit theksuan pozitivisht punën e Komisionit Kundër Korrupsionit, ndërsa ambasadori evropian Gir tha se disa institucione nuk kanë vepruar sipas rekomandimeve evropiane./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button