Vazhdon kaosi në transportin publik, qytetarët me orë presin autobusët

Vazhdon kaosi në transportin publik, qytetarët me orë presin autobusët

Gazetare: Ajnur Bafqari

Akoma nuk ka ftesë nga Qeveria për takimin ku do të duhej të gjendet një zgjidhje për çështjen e transportuesve privatë. Shumë linja mezi po mbulohen nga Qyteti i Shkupit, ndërsa ata që më së shumti paguajnë çmimin e përplasjeve mes Qytetit të Shkupit dhe transportuesit privatë janë qytetarët. Nxënësit humbasin deri në dy orë mësim vetëm për shkak të mungesës së autobusëve.

“Deri në një orë na ka rënë me prit, ndonjëherë edhe më shumë.

Sa e keni të vështirë në këto temperatura të ftohta?

Shumë tepër. Presim zgjidhje por nuk ka asnjë zgjidhje
sidomos për neve që vijmë prej larg…
Prej ku vjen ti?

Prej komunës së Sarajit… Faktikisht vij me kombi as me 2-sh se edhe 2-sh po duhet me prit shumë gjatë, deri sa të vjen. Pastaj edhe me 9 edhe me 19 po ka shumë persona që udhëtojnë me ato linja dhe tani vonohemi edhe për shkollë shpesh…Më së shumti më ka rënë komplet orën e parë me humb ose edhe orën e dytë”.

“Kemi pas raste që kemi prit një orë ose më shumë…
Me cilën linjë udhëton prej këtu?
Me 9-she.”

“Në kohët e fundit kur lëshohemi prej shkollës deri në 40 minuta na ka rënë me prit këtu te 19-shi, plus edhe 20- 30 minuta…”.

Linjat 9, 19 dhe 20 janë tre nga më të prekurat ku edhe përskaj pritjeve të gjata, shumë shpesh qytetarëve u ndodh që të mos mund të futen në autobus, pasi nuk ka vend.

“Shumë, vërtetë shumë, 30 deri në 40 minuta presim, po ngrijmë këtu është shumë ftohtë…(Me cilin autobus?) 19 dhe 9-shi cilido që të vijë… Në mjek, për në mjek është problem shumë, duhet të pritet, ka shumë turma nuk mund të futesh në autobus.. vështirë.”

“20-tëshin e pres, nuk ka autobusë të rregullt.”

“Të të them me këto taksistët privat udhëtoj, 50 denarë më mirë se sa kështu të pres. Unë jam pensionist, kam udhëtim të lirë por nuk ja vlen, më herët prisja por tani nuk pres.”

“Tani të paktën për shembull e dimë se si është orari, megjithatë nuk është numër i mjaftueshëm”.

Qytetarët e Shkupit po ballafaqohen me mungesë të autobusëve, pas përplasjeve mes Qytetit të Shkupit dhe transportuesve privat. Këta të fundit për shkak se nuk u janë paguar borxhet protestuan disa ditë duke bllokuar udhëkryqet e kryeqytetit, por pas thirrjeve të kryeministrit të tërhiqen pasi do të ketë ndërhyrje na Qeveria për gjetjen e zgjidhjes, ata u tërhoqën nga protestat, por nuk u kthyen në qarkullim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button