Vdekjet e pjesëtarëve të Wagner-it po u fshihen familjarëve në Rusi

Vdekjet e pjesëtarëve të Wagner-it po u fshihen familjarëve në Rusi

Herën e parë kur Vitaly Votanovsky është kontaktuar për të kuptuar më shumë për fatin e një luftëtari të grupit mercenar Wagner në Ukrainë, ka qenë nëntori i vitit 2022.

Ai e ka pranuar një mesazh në Telegram nga tezja e 22-vjeçarit Andrei Kargin, në të cilin është thënë se ajo nuk ka dëgjuar për nipin qe disa muaj, prej kur është angazhuar në Ukrainë me grupin rus, dhe ka pyetur nëse di diçka për fatin e djaloshit.

Ajo i ka mbushur të gjithë formularët për t’u kontaktuar në rast të vdekjes së tij, mirëpo Wagner nuk i ka thënë asgjë.

E dëshpëruar, ajo i është drejtuar Votanovskyt, një blogeri të mirënjohur dhe aktivisti me bazë në zonën e Kaukazit në Rusi.

Votanovsky është kontaktuar, pasi ai ka nisur të hetojë numrin e saktë të vdekjeve në Ukrainë, një vit pas nisjes së luftës.

Deri në fund të shkurtit, Votanovsky, e ka gjetur varrin e Karginit në një varrezë speciale për luftëtarët e Wagner-it që janë vrarë në Ukrainë.

Tezja e tij nuk është kontaktuar kurrë nga Wagneri për ta njoftuar se nipi i është vrarë, apo nëse ajo dëshiron të marrë pjesë në funeral.

Lajmi i vetëm që ka pranuar ka qenë një fotografi e bërë nga Votanovsky.

Prej atëherë, Votanovsky është kontaktuar nga disa familje për fatin e familjarëve të tyre që kanë luftuar si mercenarë për Wagner-in në Ukrainë.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se prej kur ka nisur të gjurmojë për të vrarët në Ukrainë, ai i ka identifikuar disa luftëtarë për familjarët në jug të Rusisë, në qytete sikurse Stavropol dhe Volgograd, e deri në Bjellorusi dhe Kazakistan.

Në shumicën e rasteve, familjet nuk janë informuar për vdekjet dhe vetëm e kanë zbuluar se familjarët e tyre nuk janë më gjallë, pasi dikush i ka postuar fotografitë e siguruara nga Votanovsky, nëpër kanale të ndryshme në Telegram.

“Vetëm në një rast, një grua ka qenë e informuar se luftëtari ka vdekur, të tjerët as që e kanë ditur”, ka thënë Votanovsky përgjatë një interviste.

“Në udhëtimin tim të fundit, kam gjetur shumë varreza me kurora jostandarde bardh e zi, dhe shumë familjarë kanë kuptuar lajmin për vdekjen e të dashurve të tyre në atë mënyrë”.

Kurorat bardh e zi janë kthyer në simbol të varrezave të luftëtarëve të Wagner-it, që janë vrarë në Ukrainë.

Grupi mercenar ka pësuar humbje të mëdha në muajt e fundit, sidomos pas ashpërsimit të luftimeve në qytezat ukrainase, Soledar dhe Bahmut.

Për t’i varrosur të gjithë trupat, Wagner ka hapur varreza të posaçme për luftëtarët e vrarë, shumica e të cilëve besohet se janë rekrutuar nga burgjet, në këmbim të angazhimit në luftë.

Votanovsky e ka zbuluar varrezën e parë të Wagner-it në dhjetor, në fshatin Bakinskaja, që gjendet brenda rajonit Krasnodar në jugperëndim të Rusisë.

Përveç shlyerjes së dënimit, shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin ka thënë publikisht se pjesëtarët e familjarit që merr pjesë në luftë, do të përfitojnë një shumë të hollash, nëse vritet në luftime.

Disa grupe të avokatëve kanë thënë se të burgosurve u është thënë se familjet e tyre do të pranonin një shumë prej 71.000 dollarëve, në rast se ata vriten.

Mirëpo, Votanovsky ka thënë se bazuar në komunikimet që ka pasur me familjet që kanë humbur dikë në luftën në Ukrainë, shumica nuk janë të informuar për vdekjet dhe paratë e premtuara nuk po i marrin.

“Natyrisht, është më e lehtë për Wagner-in që t’i varrosë të gjithë të vdekurit në një vend, sesa të merret me logjistikë komplekse dhe transportim të trupave rreth Rusisë, apo edhe në vendet fqinje”, ka thënë Votanovsky.

LEXO EDHE:

Back to top button