Vendi po përballet me një valë të re të jashtëzakonshme të nxehtësisë, e cila pritet të zgjasë të paktën 5 ditë
Vendi po përballet me një valë të re të jashtëzakonshme të nxehtësisë, e cila pritet të zgjasë të paktën 5 ditë
Gazetare: Ajnur Bafqari
Vendi po përballet me një valë të re të jashtëzakonshme të nxehtësisë, e cila pritet të zgjasë të paktën 5 ditë. Sot shënohet dita e parë më e nxehtë nga kjo valë e re, ku temperaturat shkojnë mbi 40 gradë celsius.
Por temperaturat do të prekin kulmin të martën dhe të premten, ku termometri do të tregojë 42 gradë celsius.
Kjo është vala tretë e të nxehtit për këtë sezon, ndërsa sinoptikët thonë se gjatë kësaj periudhe po shënohen temperatura të larta, mbi mesataren për muajin korrik.
“Deri të shtunën do kemi mot të nxehtë me temperatura të larta, gjithandej në territorin e shtetit, mbi mesataren për muajin korrik. Ditët më të ngrohta do të jenë nesër dhe të premten. Të dielën do të kemi temperaturë më të ulët ditore, edhe në javën tjetër temperaturat do të kenë tendenca rënieje. Do të ketë freskim dhe paraqitje lokale të motit të paqëndrueshëm, me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima”, tha Juliana Fidanoska, Meteorologe.
Temperaturat e larta rrisin gjithashtu rrezikun për përhapjen e zjarreve, ndërsa autoritetet kanë dalë me apel për sjellje të përgjegjshme në ambient të hapur. Ata theksojnë se çdo pakujdesi e vogël, mund të shkaktojë zjarr me përmasa të mëdha. Ata bëjnë thirrje për denoncim nëse kanë dyshime për persona të dyshimtë për zjarr vënie, apo nëse shohin tym apo zjarr në ambient të hapur. Aktualisht në vend ka 6 zjarre aktive ndërsa gjatë ditës 2 të tjerë janë vënë në kontroll dhe një është shuar.
Institucionet shëndetësore dhe ato të mbrojtjes civile kanë bërë thirrje për kujdes të veçantë në ditët në vijim. Qytetarët këshillohen të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell, veçanërisht gjatë orëve të mesditës, nga ora 11:00 deri në 17:00. Grupeve më të rrezikuara ku përfshihen fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike, u rekomandohet që të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të ajrosura, të konsumojnë shumë lëngje, dhe të shmangin aktivitetin fizik në diell. Pirja e ujit, veshja me rroba të lehta dhe me ngjyra të hapura, përdorimi i syzeve të diellit, kapeleve e përdorimi i kremit mbrojtës./Alsat.mk






