(Video) Situatë e tensionuar në Kuvend, shkarkohen ministrat e Alternativës

(Video) Situatë e tensionuar në Kuvend, shkarkohen ministrat e Alternativës

Gazetare: Fatlume Dervishi

Bekim Sali, Admirim Aliti dhe Xhemail Çupi nuk janë më ministra të qeverisë Kovaçevski. Kuvendi shkarkoi ministrat e deritanishëm të Alternativës me shumicë prej 65, respektivisht 64 votash “për”. Seanca ishte shoqëruar me tensione sidomos gjatë vazhdimit të saj deri në orën 1.30 pas mesnate. Përplasje pati mes deputetit të VMRO-DPMNE-së Igor Janushev dhe kreut të Kuvendit Talat Xhaferi, për djalin e këtij të fundit.

“Dëgjo tani, djalit të Talat Xhaferit as ti dhe as shumica këtu s’mund t’i vini as te gishti I vogël. E dyta, djali i Talat Xhaferit nuk shëtitet nëpër gjykata. Shko dhe ulu. Djalin e Talat Xhaferit nuk mund ta shohësh të droguar”.

“S’je në shtëpi. Paraqitu dhe më jep replikë”.

“Ti nëse ke problem me gjykatat me djalin e Talat Xhaferit s’ke problem. Nëse ke punë me djalin tim dil dhe shihu me atë”.

“Ty të të vijë turp. Shko në parti pyet se pse”.

Seanca do të vazhdojë me debatin për zgjedhjen e katër ministrave të rinj, tre prej të cilëve janë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Megjithatë, debati për to do të zhvillohet në pako kurse votimi individualisht. VMRO-DPMNE-ja kërkoi debat individual për secilin nga ministrat që duhet të zgjidhen, ashtu siç ishte rasti me shkarkimet, por kërkesa e tyre nuk u pranua.

“Katër ministra duhet të diskutohen për dhjetë minuta. Ata që duhet ta drejtojnë qeverinë në periudhën e ardhshme sado që të zgjasë ajo, ata që do të vendosin në emrin tonë, ata për një pjesë të të cilëve kemi biografi sipërfaqësore, për ata duhet të bisedojmë dhe të vendosim për 2.5 minuta për secilin, ose 10 minuta në total”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

“Neni 221 parashikon shkarkim individual sepse në historinë e këtij Kuvendi nuk ka shembull të shkarkimit të më shumë se një ministri ose anëtari të qeverisë dhe të më pak se 1/3 së qeverisë”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Debati për ministrat që duhet të zgjidhen do të vazhdojë në orët e mbrëmjes, pas seancës për pyetjet e deputetëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button