Viti i Ri, mjekët rekomandojnë që çdo gjë të konsumohet me masë, veçanërisht pijet alkoolike

Viti i Ri, mjekët rekomandojnë që çdo gjë të konsumohet me masë, veçanërisht pijet alkoolike

Gazetare: Melihate Rustemi

Në tryezat e fundvitit nuk do të mungojnë llojet e ndryshme të ushqimeve që do të shoqërohen me pije të gazuara dhe alkoolike. Pikërisht për këtë mjekët rekomandojnë që çdo gjë të konsumohet me masë, veçanërisht pijet alkoolike, me qëllim të parandalimit të helmimit apo përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Sipas mjekes, Jeta Berisha kujdes të posaçëm duhet të kenë personat me diabet dhe ato me shtypje të lartë të gjakut.

“Helmimet më të shpeshta janë në këtë periudhë sepse edhe ushqimet janë më të llojllojshme. Kisha rekomanduar ti ruajnë në temperaturë të duhur ato ushqime, sidomos ato që mbesin dhe disa ditë i konsumojnë që mos të vjen deri te helmimi nga ushqimi. Gjithashtu të kenë kujdes personat me diabet dhe personat që kanë hipertensionin. Tash e dimë që ëmbëlsirat janë shumë të pranishëm në tryezë, gjithashtu konsumimi i ushqimeve me shumë krip sjell shumë probleme te ata persona që janë me shtypje, me hipertension. Edhe pse e pranojnë terapinë nëse konsumohet sasi e madhe e kripës vjen deri te shtypja e lartë”, tha Jeta Berisha, mjeke.

Mjekja Berisha apelon qytetarët të kenë kujdes gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike. Siç shton ajo, pasojat nga shpërthimi i këtyre mjeteve mund të jenë të rënda afatgjatë, sidomos tek fëmijët.

“Unë dëshiroj që asnjëherë mos të përdoren po nëse përdoren të jenë nën mbikqyrje të prindërve që mos të vjen deri te lëndimet, te djegiet sepse pastaj duhet të përfundojnë nëpër klinika dhe të marrin trajtim mjekësor. Çdo vit kemi pacient që janë lënduar nga mjetet piroteknike, posaçërisht fëmijë të vegjël, nën moshën 10 vjeçare cilët nuk mund ta kenë kujdesin sa i rrituri. Vijnë shpesh herë me djegie, me lëndime….edhe te humbja e ndonjë pjesë të ekstremitetit ose shenjat mbesin më afat gjate, varet deri në çfarë shkalle është lëndim”, shtoi mjekja.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se gjatë vitit 2022, janë sekuestruar mbi 130 mijë mjete piroteknike. Neni 31 i Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike parashikon gjobë për këdo që qëllon me armë zjarri pa autorizim, përdor mjete piroteknike ose mjete të ngjashme shpërthyese. Sipas Kodit Penal, neni 396 parashikon kushdo që prodhon, mban, shet, blen ose shkëmben pa autorizim armë zjarri, municion ose mjete shpërthyese, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet./Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button