Viti i Ri, spektakël fishekzjarrësh dhe koncerte

Viti i Ri, spektakël fishekzjarrësh dhe koncerte

Gazetar: Ardit Ramadani

Nata e ndërrimit të motmoteve në pjesën më të madhe të kryeqyteteve kaloi në atmosferë të hareshme dhe festive. Shumë qytetarë në vend të shtëpisë dhe lokaleve, momentin e ndërrimit të vitit kishin zgjedhur që ta presin në sheshin e qyteteve ku jetojnë ndërsa për shumë shtete, kjo ishte hera e parë që festat e tyre nuk kufizoheshin, që nga pandemia me Kovid-19.

Në sheshin e Shkupit ishin mbledhur qindra qytetarë të cilët nën tingujt e muzikës së gjallë nga disa këngëtarë të ndryshëm po e shijonin mbrëmjen. Në shesh vëreheshin edhe turist të huaj të cilët dëshira për të festuar Vitin e Ri në kryeqytetin e vendit, nuk donin të ia dinë për organizimin modest, mjegullat e as ajrin e ndotur.

Për dallim nga Shkupi, kryeqyteti i Shqipërisë shkëlqente nga ndriçimet dhe ngjyrat e ndryshme të dekorimeve. Edhe festa e organizuar nga komuna e Tiranës ishte e përmasave më të mëdha. Shqiptarëve në momentin e ndërrimit të motmoteve iu dhurua një spektakël fishekzjarrësh ku pjesëmarrës ishte edhe kryetari i kësaj komune, Erion Veliaj.

Edhe në Prishtinë mbizotëronte atmosferë festive, shumë qytetarë kishin dalë në sheshet kryesore të kryeqytetit kosovar për të marrë pjesë në festat e organizuara në vigjilje të ndërrimit të motmoteve. Edhe në Prishtinë pati spektakël fishekzjarrësh të shoqëruar me muzikë të gjallë nga shumë këngëtarë vendas.

Edhe më madhështore ka qenë pritja e Vitit të Ri në New York ku qindra mijëra persona u mblodhën në sheshin Times për të festuar deri në orët e hershme të mëngjesit.

Në Londër nga ana tjetër u organizua spektakël fishekzjarrësh me dy mesazhe, edhe atë një homazh për mbretëreshën e ndjerë si dhe një shfaqje në mbështetje të Ukrainës. Rreth 12 mijë fishekzjarrë shpërthyen në qiell me temë Dashuria dhe Uniteti.

Edhe në festën e fundvitit në Francë u festua duke përçuar mesazh në mbështetje të Kievit. Më pas mijëra qytetarë qëndruan në shesh për të dëgjuar muzikë dhe për tu argëtuar.

Pritje madhështore u organizua edhe në Dubai, edhe atë me qindra fishekzjarrë dhe shfaqje tjera për qytetarët./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button