Vjosa, Park Kombëtar, Kumbaro: Nuk është përrallë, por realitet!

Vjosa, Park Kombëtar, Kumbaro: Nuk është përrallë, por realitet!

Vjosa, Park Kombëtar, nuk është më përrallë por është realitet, u shpreh ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

“Kemi marrë përsipër të ndryshojmë rrjedhën e logjikës ekonomike të dikurshme. Kemi sfiduar të shkuarën, në emër të së ardhmes së qëndrueshme”, tha Kumbaro në fjalën e saj gjatë ceremonisë nga Vjosa.
Një moment historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës, e cilësoi kryeministri Edi Rama këtë vendim.

“Për ta bërë realitet na u desh kohë, sepse është një vendimin e vështirë për 1001 arsye. Më vjen shumë mirë që ia dolëm. I jam mirënjohës të gjithë atyre që kontribuan për të ardhur deri këtu, në mënyrë të posaçme Mirelën dhe Adelinë, drejtoren e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, që me shumë durim bashkërenduan shumë forca që u bënë bashkë në këtë proces”.

Sot ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Europës, theksoi kryeministri, ndërsa një përgjigje e kishte për ambientalistët europianë që kanë bërë thirrje vazhdimisht për mbrojtjen e Vjosës.

“Shumë europianë, pasi zbutën tigrat në mace, erdhën këtu që të mos zbutet tigri ynë. Tigrin e Vjosën e garantojmë që nuk do të shkojë te dentisti për t’i prerë dhëmbët dhe nuk do bëhet mace”.

Fondi i parë do t’u shpërndahet komuniteteve për të zgjidhur problemin e ujërave të zeza, që janë derdhur në lumë.

“Janë 80 miloionë që do të vendosen në fillim, në dispozicion të parkut, për të bërë të mundur që të gjitha kom të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë”.

Rama shprehu ambicien për të shtuar sipërfaqen e mbrojtur të Shqipërisë, në 30 për qind.

“Sot, Shqipëria ka 21 për qind të territorit zonë të mbrojtur. Çdo vit, kemi rritur sipërfaqen dhe objektivi ynë është ta çojmë në 30 për qind”.

Në detajet e vendimit të qeverisë, tregohet se zona e mbrojtur natyrore prek një sipërfaqe prej 12.7 mijë hektarësh, ku 47% janë sipërfaqe ujore, 36% sipërfaqe bregore, 9.5% sipërfaqe tokësore ndërsa pjesa e mbetur janë breza lumorë të prirur për t’u gërryer.

Parku Kombëtar i Vjosës do të ndahet në dy nënzona. E para, përfshin nënzonën qendrore me sipërfaqe prej 11.8 mijë hektarësh është sipërfaqja ku do të zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes pasi ka një biodiversitet të larmishëm dhe duhet të jetë e paprekur nga veprimtaria njerëzore për të ruajtur të gjitha karakteristikat e saj, ndërsa do të lejohen vetëm kërkimi shkencor dhe zhvillimi i veprimtarive ekoturistike të lira në natyrë.

Pjesa tjetër që përbën 7% të sipërfaqes do të quhet nënzona e përdorimit tradicional dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo nënzonë përfshin tokat pyjore, bujqësore e kullotat dhe territore ujore, ku mundësohet vazhdimi i veprimtarive tradicionale si, punime për shëndetësimin e pyjeve, aktivitete bujqësore, kullotja, grumbullimi dhe kultivimi i bimëve mjekësore e aromatike. Në këtë sipërfaqe do të zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes dhe mund të lejohen ndërhyrje që duhet të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por pa prishur sistemin ekologjik.

Plani i menaxhimit të Parkut Kombëtar dhe objektivat e ruajtjes së zonës do të hartohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura,brenda dy vitesh nga data e hyrjes në fuqi të vendimit. Do të jetë kjo agjenci që do të menaxhojë parkun.

LEXO EDHE:

Back to top button