VMRO nuk mbështet amendamentin kushtetues kundër vjetërsimit të lëndëve të korrupsionit të lartë, të propozuar nga VLEN

VMRO nuk mbështet amendamentin kushtetues kundër vjetërsimit të lëndëve të korrupsionit të lartë, të propozuar nga VLEN

Gazetar: Suad Bajrami

VMRO-DPMNE-ja e cila nuk e mbështet propozimin e BDI-së për veting ndërkombëtar pasi e vlerëson si manovër për ikje nga përgjegjësia, nuk e mbështet as iniciativën e partnerit qeveritar VLEN për amendamentin kushtetutës me të cilin do të parashikohej që veprat eventuale penale të kryera gjatë ushtrimit të detyrës të mos vjetërsohen kurrë. Sipas deputetit Bojan Stojanovski, në vend ekzistojnë mekanizma për luftimin e korrupsionit, por në të kaluarën nuk ka pasur vullnet politik.

“Qëndrimi ynë është se me rregullativat ligjore ekzistuese dhe me kryqëzimin e bazave të të dhënave mund të luftohet kundër korrupsionit. Ajo që deri më tani ka munguar është vullneti politik për zbardhjen e këtyre rasteve. Për shqyrtim dhe përgjegjësi për krimet, mundet dhe duhet të frikësohen të gjithë ata që kanë gabuar para ligjit. Dhe duhet të dinë se do të ketë drejtësi. Së shpejti do të fillohet edhe me zbardhjen e të gjitha rasteve për të gjitha llojet e korrupsionit”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Duke iu përgjigjur kërkesës së BDI-së për veting ndërkombëtar, dje koalicioni VLEN propozoi që të ndryshohet kushtetuta. Sipas partive shqiptare në pushtet, këto ndryshime, do të rishikonin të gjitha procedurat e funksionarëve, të cilat janë ndërprerë për shkak të vjetërsimit të veprave.

“Ligjet mund të kenë fuqi retroaktive edhe në rastet që lidhen me vjetërsimin e përgjegjësisë penale për abuzimet e kryera nga funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar gjatë ushtrimit të detyrave publike, ku janë shkaktuar dëme në fondet publike dhe mjetet buxhetore në nivel qendror dhe lokal, dhe ku me ato abuzime është përfituar pasuri e paligjshme”, tha Fari Hiseni, VLEN.

Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk kanë reaguar ndaj këtij propozimi. Ata përsërisin qëndrimin se nevojitet vetingu pasi besueshmëria e qytetarëve në gjyqësor në nivel prej 2%, është për shkak të ndërhyrjeve partiake.

“Ditët kalojnë, dhe partitë nga qeveria monoetnike, të frikësuara nga kërkesa e BDI-së për të iniciuar një veting të monitoruar ndërkombëtarisht për çdo politikan në 30 vitet e fundit, përfshi edhe procesin e privatizimit, kanë mbetur të heshtura dhe po përpiqen të devijojnë temën me kumtesa boshe. Ejani, menjëherë të fillojmë që secili nga politikanët të paraqesë pasurinë dhe të kaluarën e tij para një komisioni ndërkombëtar të monitorimit për veting. Derisa nuk e bëni këtë, ju jeni vetëm mashtrues që përpiqeni të vidhni popullin nën sloganin “Kapeni hajnin”, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

BDI, ka premtuar veting ndër vite, por pavarësisht se ka qenë plot 22 vjet në pushtet nuk e ka realizuar. Kërkesa, riaktualizohet në kohën kur pushteti i ri i VMRO-DPMNE-së dhe VLEN kërkon që BDI të japë llogari për krimet, që sipas tyre janë bërë derisa kanë udhëhequr me institucionet në vend. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, për të mbrojtur pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, BDI po planifikon që gjatë muajve të vjeshtës të bëjë destabilizim./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button