VMRO: Të gjithë të shprehen në referendum

VMRO: Të gjithë të shprehen në referendum

Gazetare: Fatlume Dervishi

Mënyra e vetme për të parë nëse referendumi do të jetë ose jo i suksesshëm, është që ai të mbahet, thotë kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, shkruan Alsat.

Ai thotë se LSDM-ja duhet të ftojë anëtarësinë të dalë në referendum dhe të votojnë sipas bindjeve të tyre.

“Gjimnazistikë politike mund të bëjmë sepse janë të frikësuar nga populli dhe nga konsolidimi i disponimit antipushtetit i cili ekziston. Tani mund të gjejnë sa të duan justifikime dhe në atë mënyrë ta zvarrisin punën. Neve na intereson thelbi dhe jo forma. Nëse ka pengesa do ta korrigjojmë atë pengesë dhe do ta dorëzojmë ashtu si ata duan që ta dorëzojmë, vetëm e vetëm që të kemi procedurë të suksesshme dhe të lejojmë që qytetarët të shprehen në mënyrë demokratike për politikat e pushtetit që lidhen me Marrëveshjen me Bullgarinë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por LSDM-ja thotë se referendumi i iniciuar nga opozita nuk do të ketë sukses.

“Iniciativa e Hristijan Mickoskit për referendum është një mashtrim i ri i tij ndaj qytetarëve, i cili nuk do të ketë sukses. Pas katër vitesh Mickoski kërkon referendum për marrëveshjen të cilën e ka përkrahur publikisht para zyrtarëve bullgarë. Referendumi i Mickoskit është kundër gjuhës maqedonase dhe identitetit maqedonas në BE dhe është vetëm për përdorim të tij personal brendapartiak”, thonë nga LSDM.

Nisma për organizimin e referendumit e VMRO-DPMNE-së është dorëzuar në Kuvend dhe për rregullshmërinë e tij në aspektin formal pritet të vendosë kreu i Kuvendit Talat Xhaferi. Nëse kreu i Kuvendit vendos që nisma është në rregull, për këtë e njofton propozuesin.

Më pas vijon procedura për mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve për organizimin e referendumit. Nëse kreu i Kuvendit vlerëson se nisma nuk është në rregull, vendimi duhet të votohet në seancë plenare. Deri tani, nuk ka një përgjigje nga kryeparlamentari. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button