Votimi për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe çelja e negociatave janë prioritet për këtë vit

Votimi për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe çelja e negociatave janë prioritet për këtë vit

Gazetar: Lluka Andreev

Sigurimi i shumicës prej dy të tretave për amendamentet kushtetuese do të jetë sfida më e madhe në vitin 2023, vlerëson shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, në intervistë për agjencinë e lajmeve “Kosova Press”. Osmani beson se kjo sfidë do të kapërcehet sepse pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese do të ndërpriten negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

„Mendoj që koha veç është tani të nisim konsultimet formale institucionale, edhe pse konsultime joformale, konsultime ekzistojnë, partnerët ndërkombëtar janë të angazhuar duke qenë të vetëdijshëm për pasojat e këtij procesi… Me fillimin e këtij viti, duhet veçse t’i formalizojmë konsultimet dhe ato të jenë të hapura dhe transparente, të nxisim opozitën të del dhe të tregojë pse janë kundër, dhe cila është alternativa që e ofrojnë duke qenë kundër një procesi të tillë“, tha Bujar Osmani- Ministër i Jashtëm.

Osmani theksoi se secili deputet duhet të shpjegojë qartë përse është kundër ndryshimeve kushtetuese. Sipas tij, përmbajtja e amendamenteve, për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, nuk kontestohet. Lidhur me këtë, nuk e përjashton mundësinë e rritjes së mazhorancës, duke shtuar se hapja e kapitujve është mbi interesat partiake.

„Është ndryshimi i kushtetutës, është vazhdimi ose hapja e kapitujve që duhet të ndodh këtë vit, është menaxhimi i krizës energjetike, krizës ekonomike, krejt kjo mendoj që krijon një momentum politikë për të zgjeruar bashkëpunimin me të gjitha partitë politike, sepse tani më nuk është ajo gara klasike ndërmjet partive në opozitë dhe pozitë, tani kemi sfida të cilat i tejkalojnë këto agjenda partiake dhe unë mendoj që ka një hapësirë për zgjerim të gjithë atyre të cilët janë në mbështetje të rrugës evropiane“, shtoi ai.

Për momentin nuk ka asnjë njoftim se kur do të nisë procesi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Së fundmi, zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq tha se kjo do të ndodhë në momentin kur të sigurohet shumica e dy të tretave. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, theksoi se kjo përbërje parlamentare nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa kryetari i BESA-së, Bilal Kasami, tha se deputetët e partisë së tij do t’i mbështesin ndryshimet Kushtetutës nëse termi “20%” zëvendësohet me gjuhën shqipe./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button