Vrasja e hendbollistit, dëshmuan mjekët që tentuan t’i shpëtojnë jetën

Vrasja e hendbollistit, dëshmuan mjekët që tentuan t’i shpëtojnë jetën

Gazetar: Ardit Ramadani

Mbrojtja e të akuzuarve për vrasjen e hendbollistit kroat Denis Tot kërkon që ky rast të ri-kualifikohet sepse sipas tyre, akuza për vrasje nuk mban si dhe te viktima nuk janë evidentuar lëndime të dukshme. Në gjyqin për hendbollistin dëshmuan mjekët e Klinikës për Reanimacion, Anestezi dhe kujdes intensiv KARIL, Maja Mojsovska dhe Biljana Andonovska, sipas të cilave Tot ishte sjellë në klinikë pa shenja jete.

“Mbrojtja në rastin konkret shkon në ri-kualifikim edhe në atë se a ka pasur paramendim për vrasje dhe në qoftë se nuk ka, edhe është evidente që nuk ka, nga cila goditje ose cili lëndim çoi deri në vdekje në këtë tragjedi për të gjithë. Kështu që, atë që e dëgjuam nga mjekja Maja Mojsova ngelet se nuk ka parë asnjë lëndim të dukshëm, përkatësisht, në pjesët e dukshme të trupit”, deklaroi Elenko Milanov, avokat i të akuzuarit Andrej Kostovski.

Avokatët gjatë seancës ngrenë dyshime në qoftë se mjekët e kanë ditur apo jo lëndimin në shtyllën kurrizore që sipas tyre, po ta kishin ditur, pacienti do të kishte gjasa të shpëtojë. Duke ju përgjigjur avokatëve në lidhje me këtë, mjekja Biljana Andonovska në cilësinë e dëshmitares theksoi se sipas diagnozave fillestare nuk ka pasur një përshkrim të tillë në dokumentacionin që e kishin në dispozicion. Ndërkohë sipas mjekes Miovska asnjë lloj mjekimi tjetër nuk do të ndryshonte faktin se zemra e hendbollistit kishte pushuar së rrahuri.

“Edhe po të dihej lëndimi në shtyllën kurrizore, kursi i trajtimit do të ishte i njëjtë”, tha Maja Mojsovska Miovska, mjeke në KARIL.

Avokati Elenko MilLanov thotë se nuk është shumë i sigurt për pohimet e mjekes.

“Këtë unë nuk e di. A do të ishte njëjtë sepse po, edhe mjekët e mjekësisë ligjore thanë që ai lëndim edhe po të dihej, gjasat për të shpëtuar ishin shumë të vogla por jo se nuk do të mund të ishte bërë asgjë”, u shpreh Elenko Milanov, avokat i të akuzuarit Andrej Kostovski.

Nga mjekësia ligjore më herët patën deklaruar se hendbollisti Tot kishte ndërruar jetë për shkak të ënjtjes së trurit dhe lëndimet në shtyllën kurrizore por shkaku kryesor i vdekjes së Tot kanë qenë goditjet nga të akuzuarit pas të cilave është lënduar shtylla kurrizore. Për veprën penale Vrasje, Prokuroria Themelore në Shkup ndjek të akuzuarit Anxhello Gjorgjievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski. Ngjarja ndodhi më 7 prill në një diskotekë në Shkup. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button