Vrasja në Shkup, nuk dihen autorët dhe motivet

Vrasja në Shkup, nuk dihen autorët dhe motivet

Gazetar: Adrian Kerimi

Autorët e vrasjes së dyfishtë një natë më parë janë në arrati ndërsa nuk dihen as motivet e incidentit të armatosur. Policia ka zbardhur pak detaje ndërsa prokuroria njofton se po punon për vërtetim e veprës dhe identifikimin e autorëve. Deri tani është gjetur vetëm një veturë e djegur që dyshohet se kanë përdorur autorët e krimit.

“Nga incidenti i armatosur mbrëmjen e kaluar në këtë lokal mbetën të vrarë Jeton Krivanjeva dhe Enez Isejni ndërsa u plagos edhe një person i tretë. Policia është duke punuar në zbardhjen e motivit të vrasjes, ndërsa e gjitha që dihet për autorët e krimit deri tani është një veturë e gjetur e djegur afër lagjes Vizbeg të Shkupit”, raporton Adrian Kerimi, gazetar.

Sipas policisë Krivanjeva me emrin e njohur “Zhilla” dhe Isejni me emrin e njohur “Llaci” janë sulmuar nga 5 persona të maskuar dhe të uniformuar ku si pasojë e plagëve kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. I plagosur ka mbetur personi Talha Ali 34 vjeç për të cilin supozohet të ketë punuar kamerier në lokalin ku ndodhi incidenti në rrugën që ndanë Kalanë e Shkupit dhe Çarshinë e Vjetër. Vetura me të cilën dyshohet të kenë lëvizur autorët e krimit është gjetur e djegur 20 minuta pas incidentit në një lokacion periferik. Prokuroria Publike ka sekuestruar provat nga vendi i ngjarjes dhe me kamerat e sigurisë po punon në identifikimin e autorëve dhe zbulimin e trajektores së lëvizjes.

“Të gjitha provat materiale të siguruara në vendin e ngjarjes do t’i nënshtrohen ekspertizës. Janë siguruar incizimet nga kamerat e sigurisë në objektin ku kanë ndodhur vrasjet, objektet përreth përfshi edhe incizime nga sistemi “Qyteti i sigurt”. Prokurori i rastit ka urdhëruar zhvillimin e bisedave informative me personin e plagosur dhe personat e tjerë të cilët ishin prezent në lokal gjatë kohës kur kanë ndodhur vrasjet”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Motivet mbeten akoma të panjohura, ndonëse dyshohet në disa pista e në mesin e tyre edhe hakmarrja dhe pastrimi i hesapeve të biznesit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button