Vritet lideri i Al-Kaidës, Ayman Al-Zawahiri

Vritet lideri i Al-Kaidës, Ayman Al-Zawahiri

Gazetar: Isuf Kadriu

Lideri i Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, një nga terroristët më të kërkuar në botë, është vrarë gjatë fundjavës në Kabul, në një sulm me dron nga Shtetet e Bashkuara të Amërikës.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenti amerikan Joe Biden në një fjalim televiziv. Biden tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane gjurmuan dhe e gjetën Zawahirin në një shtëpi në qendër të Kabulit, ku ai ishte fshehur me familjen e tij.

Presidenti e miratoi operacionin javën e kaluar dhe ai u krye nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), më 31 korrik.

Inteligjenca amerikane konfirmoi se njeriu i vrarë ishte Al-Zawahiri dhe se nuk pati viktima të tjera.

“Tani drejtësia është vendosur dhe ky lider terrorist nuk është më…Pavarësisht se sa kohë na merr, pavarësisht se ku fshiheni, nëse ju jeni kërcënim për popullin tonë, Shtetet e Bashkuara do t’ju gjejnë dhe do t’ju nxjerrin jashtë. Ne nuk do të lëkundemi kurrë që të mbrojmë kombin dhe popullin tonë”,

tha  Joe Biden, President i SHBA-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Bideni e ka përmbushur premtimin e tij të vitit të kaluar se ai do të vazhdojë ta mbrojë Amerikën nga kërcënimet terroriste pavarësisht tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani.

Vdekja e Al-Zawahirit ngre pikëpyetje nëse talibanët e strehuan atë pas marrjes së Kabulit në gusht të vitit 2021.

Zaëahiri, 71 vjeç, mbikëqyri sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001, së bashku me Osama bin Ladenin, themeluesin e Al-Kaidës. Bin Laden dhe Al-Zawahiri u arratisën nga forcat amerikane në Afganistan në fund të vitit 2001 dhe vendndodhja e tij kishte qenë e panjohur prej kohësh.

Ai ishte ideologu kryesor pas rrjetit terrorist global të Al-Kaidës për disa dekada dhe kishte role qendrore në sulmet e Al-Kaidës ndaj ambasadave të SHBA-së në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998, tre vjet para sulmeve të 11 shtatorit 2001, nga të cilat kanë mbetur të vdekur rreth 3.000 njerëz.

Zawahiri u vu në krye të Al-Kaidës pas vrasjes së Osama bin Ladenit nga forcat amerikane në Pakistan në maj të vitit 2011./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button