Vuçiq konfirmon pjesëmarrjen e Serbisë në takimin në Uashington


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmoi pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e 2 shtatorit në Uashington.

“Serbia nuk është në një pozitë dhe nuk do të ishte mirë t’i refuzojë bisedimet. Ne do të marrim pjesë në bisedime dhe temat, me sa kam biseduar me Grenell, janë ekonomike. Këto janë tema të mira”, tha Vuçiq në një intervistë për televizonin Pink të Serbisë.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se më 2 shtator ka thirrur në takim në Shtëpinë e Bardhë, liderët e Kosovës dhe Serbisë, por nuk dha detaje se cilat do të jenë temat që do të bisedohen në të.

Presidenti Vuçiq po ashtu tha se nuk e di se pse Grenell në lajmërimin e tij ka përdorur fjalën “negociata” dhe jo “bisedime”, duke thënë se pozicioni i Serbisë është që bisedojë përmes SHBA-së dhe Brukselit me palën tjetër dhe jo me shtetin tjetër, duke bërë referencë për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e 2 shtatorit, tha se me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë do të takohen si dy shtete të pavarura.

Takimi i 2 shtatorit, takimi i dytë që është organizuar nga Grenell.

I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

LEXO EDHE:

Back to top button