Xhaferi: Çështja e kuorumit është përgjegjësi edhe e opozitës

Xhaferi: Çështja e kuorumit është përgjegjësi edhe e opozitës

Gazetar: Adrian Kerimi

“Deputetët nuk janë të robëruar që të qëndrojnë me doemos në sallë për të siguruar kuorum pune dhe këtë përgjegjësi nuk e kanë vetëm deputetë e shumicës por edhe opozita”. Kështu vlerëson kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi i cili në takimin me gazetarët foli për mungesën e shumicës efektive në Kuvend dhe mos miratimin e pikave nga seancat e kaluara. Xhaferi mbetet në qëndrimin se mosmarrëveshjet politike nuk duhet zgjidhur brenda Kuvendit, duke shtuar se paralajmërimet për shpërndarjen e Kuvendit nuk ishin blof, por nevojë ekstreme e rrethanave reale në Kuvend. Xhaferi tha se i mbetet partive të mbajnë llogari për stabilitetin e shumicës, zgjerimin e saj ose shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. I pyetur se si do të veprojë tutje, Xhaferi përmes një raporti të përgatitur të cilin ia dorëzoi gazetarëve lokalizoi problemin e jo efikasitetit të Kuvendit. Sipas tij, komisionet janë problemi kryesor i mos miratimit të dhjetëra ligjeve edhe pse sipas tij, plenumi ka marr vendimin dhe ka përcjellë materiale për të proceduar propozimet ligjore drejt miratimit.

Raport mbi punën e Kuvendit

Numri i përgjithshëm i seancave: 83
Seanca të mbaruara: 54
Seanca të pambaruara: 29
Nga 973 pika të cilat kanë qenë në rend dite në seancat plenare, mbi 80 pika kanë mbetur të pa shqyrtuara për shkak se Komisionet nuk kanë mbajtur mbledhje edhe pse ishin plotësuar të gjitha kushtet për shqyrtimin e pikave.
Pika të mbetura për votim në seancat plenare: 2

I pyetur për ndryshimin e Rregullores për punën e Kuvendit, Xhaferi mbetet i mendimit se në kuadër të dialogut të “Zhan Monesë”, mbron idenë për një Rregullore të re brenda të cilët nuk do të lejohen hapësira për keqinterpretime dhe keqpërdorime të pozitave të deputetëve, duke aluduar në paraqitjen e deputetëve në Kuvend por mos pjesëmarrjen në punën e plenumit. “Me këtë Rregullore si është tani, mos dashtë Zoti që unë nesër të jem opozitë e ndokujt”, tha Xhaferi duke ironizuar me përmbajtjen e Rregullores. I pyetur për ndryshimet kushtetuese në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Çështje Kushtetuese, Xhaferi tha se deri sa nuk posedon material konkret nuk mund të jep përgjigje fiktive. Nga 1 gushti Kuvendi do të shkon në pushim kolektiv, ndërsa seancë e re plenare nuk pritet para 13 shtatorit. Gjatë gushtit mund të mblidhet Komisioni për zgjedhje dhe emërime për të proceduar përzgjedhjen e gjykatësve kushtetuese. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button