Xhejms: Këto janë 23 ndeshjet më të rëndësishme për mua

Me 27 fitore dhe 32 humbje, skuadra e Los Anxhelos Lejkers është jashtë zonës “play off” në NBA këtë sezon. Kjo do të thotë një tjetër sezon i dështuar për kalifornianët, që për të dytin vit me radhë rrezikojnë të mos shkojnë në “play off” (ku shkojnë 6 ekipet e para) apo në play in (luajnë ekipet në vendet 7-10).

Lejkers aktualisht renditen në vendin e 13-të, por renditja është e ngjeshur dhe asgjë nuk është e pamundur. Pas ndeshjes së “All Star Game”, kapiteni i Lejkersit, LeBron Xhejms, ka folur për pjesën e mbetur të sezonit. Ai beson se edhe merkato e janarit e kryer nga klubi do të japë rezultat.

“Janë ende edhe 23 ndeshje për t’u luajtur. Do të jenë 23 ndeshjet më të rëndësishme të karrierës time për një sezon të rregullt. Ky është mentaliteti im. Shpresoj që kjo gjë të vlejë edhe për shokët e mi të skuadrës, për të arritur objektivin minimal, që është play off-i”, tha LeBron Xhejms.

Dy javë më parë, “king James” u bë shënuesi më i mirë në historinë e NBA-së, duke kaluar legjendën Karim Abdul-Xhabbar. Kampionati do të rinisë pas disa ditësh pushime për shkak të ndeshjes së yjeve, zhvilluar në Salt Lake City, ku “team Giannis” mposhti atë të “team LeBron”.

LEXO EDHE:

Back to top button