Zelenski pret intensifikimin e sulmeve ruse

Zelenski pret intensifikimin e sulmeve ruse

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, ka thënë se forcat ruse janë duke përdorur raketa dhe artileri për të bombarduar qytezat afër Severodonjeckut. Sipas ushtrisë, forcat ukrainase dhe ato ruse janë duke luftuar ende për të marrë kontrollin e plotë të Severodonjckut, qytet kyç në lindje të Ukrainës. Presidenti ukrainas Zelenski tha se këtë javë pritet intensifikim i aktiviteteve armiqësore nga Rusia.

“Ne duhet të presim një aktivitet më të madh armiqësor nga Rusia. Pikërisht këtë javë. Ne jemi duke u përgatitur. Ne jemi gati. Ne po paralajmërojmë partnerët. Pushtuesit po grumbullojnë forcat në drejtimin e Kharkiv, në rajonin e Zaporizhzhia. Ata goditën përsëri infrastrukturën tonë të karburantit, duan të përkeqësojnë situatën e karburantit. Sigurisht, ne do t’i përgjigjemi edhe kësaj”, deklaroi Volodymyr Zelenski, President i Ukrainës.

Shefi i diplomacisë së BE-së Josep Borrell, ka akuzuar Rusinë për kryerje “të krimeve të vërteta të luftës”, duke bllokuar eksportet e drithërave nga Ukraina.

“Është e paimagjinueshme që miliona tonë të grurit mbeten të bllokuar në Ukrainë, derisa pjesa tjetër e botës përballet me uri. Ky është krim i vërtetë i luftës”, tha Xhozef Borell, Shef i diplomacisë së BE-së.

Borell këto komente i bëri në nisje të takimit mes ministrave të Jashtëm të bllokut evropian, në Luksemburg. Ministrat pritet të diskutojnë rrugë për miliona tonë të grurit që gjenden në Ukrainë, që janë bllokuar në portet e Detit të Zi nga ana e forcave ruse.

Ukraina ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, disa ditë pas nisjes së pushtimit rus. Moldavia dhe Gjeorgjia kanë vepruar njëjtë, si pasojë e kërcënimit rajonal që vjen nga sulmi i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë. Liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të analizojnë aplikacionet e të tria vendeve në një samit që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor dhe pritet të përkrahin aplikimin e Ukrainës./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button