Zgjedhjet e përgjithshme në Bullgari, të katërtat në 18 muajt e fundit

Zgjedhjet e përgjithshme në Bullgari, të katërtat në 18 muajt e fundit

Gazetar: Adrian Kerimi

Në Bullgari po mbahen zgjedhjet e katërta parlamentare në më pak se dy vjet. Të drejtë vote kanë 6.6 milion qytetarë. Nga Maqedonia e Veriut janë paraqitur për të votuar 181 shtetas bullgarë, ndërsa votimi po bëhet në ambasadën në Shkup, konsullatën në Manastir, si dhe në Veles, Kavadar, Ohër, Prilep, Strumicë dhe Shtip.
Në garë janë 29 subjekte dhe koalicione politike. Ish kryeministri, Kiril Petkov i cili në qershor si pasojë e mocionit të votëbesimit u rrëzua nga pushteti tha se qytetarët e Bullgarisë sot duhet të vendosin për të ardhmen e vendit dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

“Qytetarët e Bullgarisë sot po bëjnë zgjedhjen e tyre të rëndësishme. Ata po bëjnë zgjedhjen e tyre mes politikave të tranzicionit ku korrupsioni ishte pjesë e pandashme e Bullgarisë, po zgjedhjen e re tërësisht të reformuar, të rritjes transparente të Bullgarisë, ku të rinjtë zgjedhin Bullgarinë si vendin e tyre”, tha Kiril Petkov, Kryetar i partisë PP.

Ish kryeministri Bojko Borisov, partia e të cilit është në avantazh në sondazhet e fundit ka deklaruar se sfida më e madhe sot në Bullgari është motivimi i qytetarëve për të dalë të votuar.

“Politikanët e tjerë udhëhiqen nga egot e tyre. Nëse nuk konsiderojnë në votat e të gjithë qytetarëve, pas shumë proceseve zgjedhore, përsëri askush nuk do të motivohet për të votuar. Këshilla ime për kolegët politikanë është që të veprojnë me mençuri dhe maturi pas ditës së votimit dhe shpalljes së rezultateve”, u shpreh Bojko Borisov, Kryetar i GERB-it.

Sondazhet e publikuara një ditë para zgjedhjeve thanë se GERB kishte mbështetjen e 25-26 për qind të votuesve, ndërkaq partia “PP” e Petkovit kishte mbështetjen e 16.5 për qind të votuesve. Në fushatën zgjedhore nuk ka munguar as retorika pro-ruse dhe akuzat ndaj Qeverisë së deritanishme për mos neutralizimin e Bullgarisë nga lufta Rusi-Ukrainë. Pritet që deri në tetë parti të kalojnë pragun prej 4 për qind për të fituar ulëse në Parlamentin bullgar prej 240 mandatesh. Qendra e votimit janë hapur në orën 07:00 sipas kohës lokale dhe do të mbyllen në orën 20:00./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button