Zgjedhjet në Gjermani: Garë shumë e ngushtë

Një javë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, kandidati i Unionit CDU/CSU, Armin Laschet po tregohet i vendosur të dalë në krye të garës. “Këto janë zgjedhje me një rezultat shumë të ngushtë, kjo është një garë shumë e ngushtë”, tha Laschet në kuadër të një takimi elektoral në Delbryk-Stainhorst të landit Renani-Veriore Vestfali, ku ai është kryeministër.

Kurse kandidati socialdemokrat, Olaf Scholz që në sondazhe kryeson premtoi më shumë apartamente të arsyeshme në çmim. Si kancelar ai do të kujdeset, që të çojë përpara projektin e 400.000 apartamenteve të reja dhe 100.000 prej tyre do të jenë banesa sociale, tha Scholz në një takim elektoral në sheshin Marien Marienplatz në Mynih. Së bashku me kandidaten për kancelare të të Gjelbërve, Annalena Baerbock, ata duan të dielën të zhvillojnë diskutimin e fundit televiziv të kandidatëve për kancelar.

Demokratët e qendrës sillen si duhet me njëri-tjetrin

Scholz, që banimin e ka kthyer në një temë të fushatës së tij premtoi se tek “aleanca për banimin”, do të bëjë pjesë edhe  një moratorium, në të cilin do të vendoset që qiratë në pesë vitet e ardhshme të rriten në mënyrë të moderuar. “Edhe në plan afatgjatë ne duam të pengojmë, që qiratë të rriten me shpejtësi në një kohë të shkurtër”, tha Scholz.

Kurse kandidati konservator, Armin Laschet tregohet me mirëbesim, megjithë vlerat më të dobta në sondazhe. Në fjalimin e tij para 500 përkrahësve të CDU-së, ai tha se “tani kemi edhe 8 ditë kohë, dhe ne e ndjejmë të gjithë, diçka po ndryshon.” Në sondazhe ka shumë njerëz që nuk janë të përfaqësuar. “Por të dielën e ardhshme nuk do të klikohet, aty do të mbushet një fletëvotimi. Atëherë edhe ata që shpesh nuk pyeten do të japin votën e tyre.”

Në sondazhet e fundit, SPD qëndron me 25% para Unionit CDU/CSU. Kurse sipas ekspertëve të sondazheve, Annalena Baerbock e Të Gjelbërve ndodhet në vendin e tretë. Laschet është shprehur, se “demokratët e qendrës punojnë së bashku dhe sillen si duhet me njëri-tjetrin”. Baerbock, Scholz dhe ai nuk bëjnë një luftë personale zgjedhore, tha Laschet.

LEXO EDHE:

Back to top button