Zhires: Miqësoret, na ndihmojnë për Ligën e Kombeve
Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Alenn Zhires zhvilloi pres konferencën e parë për mediave, në prag të sfidave miqësore të këtij muaji, kundër Burkina Fasos, më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe kundër Zvicrës, më 29 mars në Cyrih. Giresse ka thënë se ky grumbullim do t’i shërbejë për t’u njoftuar me lojtarët dhe më pas do ta ketë më të lehtë të flet edhe për objektivat e ekipit.
“Ky grumbullim ka rëndësi për mua, ngase do të kem mundësinë të njihem për së afërmi më lojtarët dhe pastaj do të njoftohemi së bashku edhe me mënyrën e organizimit, punës dhe si do të funksionojmë në këto dy miqësore. Është shumë normale për një trajner të ri që t’i njoh kapacitetet e lojtarëve, por jo për të ndërruar komplet strukturën”, tha mes tjerash Zhires.
Ai ka thënë se dy miqësoret e këtij muaji do t’i shërbejnë atij për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e Ligës së Kombeve që na presin në muajin qershor.
“Është hera ime e parë që do të jem në krye të ekipit. Këto dy ndeshje do të na ndihmojnë t’i shohim lojtarët dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e qershorit. Në Ligën e Kombeve do të futemi me ambicie maksimale dhe këto dy miqësore do të na shërbejnë shumë në atë drejtim”, theksoi tutje Giresse.
Ai ka bërë të ditur se për shkak të lëndimit në këtë grumbullim do të mungojë Emir Sahiti, i cili ishte ftuar për herë të parë në kombëtaren e Kosovës, derisa ka thënë se do të shikohen mundësitë për të ftuar ndonjë futbollist tjetër. Të martën në orën 18:30, në stadiumin Fadil Vokrri do ta ketë stërvitjen e parë me “Dardanët” me trajnerin francez.







