Zinçenko: Arteta “mashtron” rivalët me lojtarët e dëmtuar
Mbrojtësi i Arsenalit, Oleksandr Zinçenko ka zbuluar më shumë nga taktikat e çuditshme të Mikel Artetës, të përdorura për të luajtur lojëra mendore me ekipet kundërshtare. Trajneri spanjolli është i njohur për metodat e tij të veçanta që synojnë të testojnë lojtarët e tij dhe të sfidojnë rivalët. Në të kaluarën, qasja unike e Artetës ka përfshirë punësimin e fshehtë të një ekipi xhepistësh profesionistë, të ngarkuar për t’u vjedhur telefonat dhe kuletat skuadrës së tij të parë gjatë një darke. Stërvitja supozohet se u bë për t’u dhënë lojtarëve të tij një mësim për rëndësinë e të qenit vigjilent në çdo kohë, ndërsa ai vazhdon të shtyjë ekipin e tij për të fituar një trofe.
Tani Zinçenko ka pohuar se shefi i Arsenalit përpiqet të mashtrojë kundërshtarët, duke u thënë lojtarëve të tij të dëmtuar që të shtiren se janë në formë në ditën e ndeshjes.
“Kam parë Mikel Artetën që u thotë lojtarëve të lënduar që të vijnë në autobusin e ekipit dhe të hyjnë në dhomën e zhveshjes me çantën e tyre të dushit, për të bërë konfuz trajnerin tjetër”, tha ukrainasi për “The Athletic”. “Artetës i pëlqen të luajë lojëra me kundërshtarët”.
Kjo është një taktikë që spanjolli mund ta ketë përdorur rregullisht kohët e fundit për shkak të problemeve të lëndimeve që ka pësuar skuadra e tij. Vetëm muajin e kaluar, Bukajo Saka dukej i destinuar të humbiste ndeshjen e vështirë të “Topçinjve” kundër Liverpulit në “Emirates”, me trajnerin që pretendonte se ai ishte në dyshim për të luajtur.