22 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit
22 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Në 22 vjetorin e Marrëveshjes së Ohirt, njëri ndër përpiluesit e saj, ish ministri i drejtësisë Xhevdet Nasufi thotë se çështjet me rëndësi kombëtare nuk duhet t’i lihen vullnetarizmit politik. Ai thotë se një pjesë të përgjegjësisë për mosrealizim të plotë të marrëveshjes së Ohrit e kanë vet partitë politike shqiptare.
“Nuk mund të krenohemi për përfaqësimin e denjë apo të barabartë sepse për çështje madhore që kanë të bëjnë me shtetin përsëri vendimtarët janë maqedonasit, të cilët konsiderojnë se shteti është krejtësisht i tyre, dhe na lejojnë të themi aq sa ata mendojnë se duhet, dhe në këtë pikë ata janë unikë, kurse shqiptarët që nuk janë unikë, por janë divergjentë në aktivitetin e tyre për arsye edhe banale. Tani te përfaqësimi ndoshta është absurde kur shohim se kemi një numër të madh ministrash, por komponentë formale e një barazie nuk mund të krahasohet me kompetenten përmbajtjesore, me përfaqësimin që është vendimmarrje në nivelet më të larta të shtetformimit apo vendimmarrjeve shtetërore, aty është shumë e rëndësishme që të kushtohet vëmendje edhe politika e brendshme”, deklaroi Xhevdet Nasufi, Ish ministër i drejtësisë.
Derisa vendi është në prag të ndryshimeve kushtetuese, Nasufi thotë se në këto ndryshime duhet të përfshihesh edhe disa çështje për shqiptarët. Sipas tij, posti i kryeministrit e funksione të tjera të rëndësishme duhet të përcaktohen me kushtetutë.
“Jam shumë skeptik që shqiptarët do të insistojnë bashkërisht në këto ndryshime kushtetuese të kërkojnë bile atë që them dhe që duhet – Marrëveshja e Ohrit nuk është tabu, Marrëveshja e Ohrit nuk është Kuran, Marrëveshja e Ohrit nuk është akt statik, jeta është shumë më e pasur, jeta është shumë më përmbajtjesore, shumë më e avancuar se një akt politik juridik siç është Marrëveshja e Ohrit. Prandaj është e pakuptueshme qe bashkë me ndryshimet kushtetuese qe i takon që bullgarët të përfshihen në preambulë, duhet të bëhen ndryshime edhe në pjesën që të precizohet shtetësia e shqiptarëve në Maqedoni në mënyrë më precize, në mënyrë më të thukët, në mënyrë më konkrete”, shtoi Xhevdet Nasufi, Ish ministër i drejtësisë.
Nasufi thotë se në institucionet publike ka një diversitet, por sipas tij, nuk ka një autoktoni për shqiptarët sa i përket vendimmarrjeve me interes parësor shtetëror.
“Nuk mund t’ia lejojmë vullnetarizmit politik gjërat madhore kombëtare, kjo që veprohet tani është vullnetarizëm politik, dilet në fushata politike, deklarohet do ta bëjmë kryeministrin e parë shqiptar, do ta bëjmë planin e gjelbër, do ta bëjmë këtë, do ta bëjmë atë, e nuk bëhet asgjë. Një parti del, një parti hyn, bile në planin kombëtar nuk kemi të institucionalizuar edhe veprimin partiak politik. E tash si mund të deklarohet që Marrëveshja e Ohrit është zbatuar se problemet u zgjidhen, nuk ka kuptim as politik, as juridik, logjik nuk ka”, tha Xhevdet Nasufi, Ish ministër i drejtësisë.
Marrëveshja e Ohrit më 13 Gusht të 2001-ës kurorëzoi fundin e kryengritjes së shqiptarëve për të drejta të barabarta, pas bisedimeve disa mujore të filluara në Shkup e që vijuan në Vilën ‘Biljana’ në Ohër. Korniza u firmos nga ish presidenti Boris Trajkovski, ish kryetari i VMRO DPMNE-së dhe ish kryeministri Lubço Georgievski, ish kryetari i PPD-së Imer Imeri, ish kryetari i PDSH-së Arbën Xhaferi dhe kryetari i atëhershëm i LSDM-së Branko Cërvenkovski. Marrëveshja e Ohrit u ndërmjetësua nga përfaqësuesit e posaçëm të BE-së dhe SHBA-së Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, të cilët bartin edhe rolin e garantuesit. Marrëveshja e Ohrit duhej të zbatohej deri në vitin 2004 por edhe sot e kësaj dite, 22 vjet më vonë, shumë çështje mbeten të parealizuara. /Alsat.mk