24 vjet nga rënia e Myrtë Zenelit

24 vjet nga rënia e Myrtë Zenelit

Myrtë Zeneli është lindur më 11 tetor të vitit 1962 në fshatin Shqiponjë, ish-Jabllanicë. Ai shkollën fillore e ka mbaruar në fshatin Zhebel, ndërsa shkollën e mesme në Gjakovë.

Myrtë Zeneli ka marrë pjesë aktive në demonstratat që janë zhvilluar në vitet 1989-1990, kurdoherë në ballë të tyre. Qysh në tetor të vitit 1995, ai ka vënë kontakt me radhët e grupeve të para ilegale të UÇK-së për Dukagjinin.

Në prill të vitit 1998 komanda e zonës e ka emëruar Zenelin epror në njësitin sulmues të Dushkajës. Qysh prej asaj kohe, Myrtë Zeneli ka marrë pjesë në luftimet e shumta kundër okupatorit në Sukë të Cërmjanit, në Kralan, Jabllanicë, Qeskovë e pika të tjera.

Në Këpuz, në maj të vitit 1998 janë zhvilluar luftime ballë për ballë me forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe. Në ato përleshje direkte kanë marrë pjesë: Myrtë Zeneli, Agim Zeneli, Naser Brahimaj, Alush Agushi nga Drenoci i Klinës dhe shumë luftëtarë të tjerë.

Beteja ka qenë vendimtare, ndërsa goditja e helikopterit ushtarak serb nga mitralozi kundërajror dhe rrethimi që i ishte bërë forcave serbe në Qafë të Dollovës, kanë shënouar kulmin e furisë së luftëtarëve të Dukagjinit kundër barbarisë armike, ndërsa luftës çlirimtare i kanë dhënë impulse jashtëzakonisht të fuqishme.

Goditja e helikopterit ushtarak, e tipit “Kobra”, ka shënuar fitoren e parë të këtij lloji të luftëtarëve të Dukagjinit kundër forcave ajrore të okupatorit.

Më 21 maj të vitit 1998 në luftë kundër forcave të okupatorit, përveç Myrtë Zenelit, Naser Brahimajt e Agim Zenelit me shokë, kanë marrë pjesë edhe Xhelal Hajda, Fadil Nimani, Alush Agushi e shumë trima të tjerë. Po atë ditë, Myrtë Zeneli ka qenë i pozicionuar rreth Qafës së Dollovës nga drejtimi i Bokshiqit. Ndërkohë, forcave të rrethuara armiku iu kanë ardhur përforcime nga të gjitha anët.

Në luftë për të mos i lëshuar pozicionet e UÇK-së që janë granatuar me armë të rënda të artilerisë, ka rënë dëshmor Myrtë Zeneli, njëri ndër luftëtarët më të paepur në trevën e Dukagjinit.

Në korrik të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, emrin e dëshmorit Myrtë Zeneli e ka marrë Brigada 132 e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë të cilën e ka komanduar Ramush Haradinaj./KosovaPress

LEXO EDHE:

Back to top button