Pacientja e prekur me ethet hemorragjike kongo-krime është në gjendje të qëndrueshme

Pacientja e prekur me ethet hemorragjike kongo-krime është në gjendje të qëndrueshme

 Gazetare: Ajnure Bafqari

Pacientja e prekur me ethet hemorragjike kongo-krime është në gjendje të qëndrueshme, mjekët i ndjekin nga afër të gjitha parametrat dhe shpresojnë që gjendja e saj të mos përkeqësohet ditëve në vazhdim. Mjekja, Dobrinka Naunova Jovanovska thotë se infektimi i saj mund të ketë ndodhur në kohën kur infermierja ka hequr dorëzat, maskën dhe pajisjet e tjera mbrojtëse.

“Pacientja tani për tani është në gjendje stabile, parametrat ndiqen në mënyrë të vazhdueshme të mos vijë deri tek përkeqësimi.. Vetë sëmundja ka evoluimin e saj, kështu që ditët e para nuk janë shumë të këqija, por më pas përkeqësohet situata, prandaj ndiqen të gjitha parametrat tek pacientja që të mund të intervenohet në situata të caktuara. Tani për tani nuk ka gjakderdhje, megjithatë ndiqet,” tha Dobrinka Naunova Jovanovska, Klinika për sëmundje infektive.

Listës së personave që do të jenë nën mbikëqyrje 14 ditore i shtohen edhe 11 vetë, 10 anëtarë të familjes së infermieres dhe një kolege e saj. Ndërsa pacientja aktuale është njëra prej 29 kontakteve me pacienten paraprake dhe simptomat i ka shfaqur në ditën e nëntë të mbikëqyrjes.

“Ne si institucion dhamë edhe 11 vendime, përkatësisht ato janë kontakte të tashmë pacientes së hospitalizuar që është edhe e punësuar në Klinikën për Sëmundje Infektive. 11 kontaktet do të jenë 14 ditë nën mbikëqyrje shëndetësore. Çka nënkupton kjo, personat duhet të jenë në kontakt të vazhdueshëm me epidemiologun kujdestar nga Qendra e Shëndetit Publik. Ky faktikisht nuk është izolim klasik, por nuk rekomandohet të jenë në kontakt me të tjerët, familjarët e ngushtë, thjeshtë të durojnë këto 14 ditë të mos përhape infektimi,” deklaroi Renata Mlladenovska, Inspektorati Shtetëror Sanitarë dhe Shëndetësorë.

Zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse Zllate Ibrahimoviq, thekson se nuk duhet të bëhet panik pasi nuk presin raste të reja të prekura me këtë sëmundje. Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos dalin  në natyrë pa veshje adekuate, pasi kjo sëmundje vjen si pasojë e pickimit nga rriqra. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button