3 orë “luftë” për të marrë PD-në! Berisha mbyll protestën e dhunshme

Gazetar: Vjollca Aliti

Dhunë, gaz lotsjellës, tensione, e ndërhyrje policore, këto janë vetëm disa nga momentet që shoqëruan protestën e sotme të thirrur nga ish kreu I PD-së Sali Berisha e cila kishte për qëllim marrjen në kontroll të selisë së PD-së, shkruan Alsat.

Policia e Shqipërisë përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit të cilët tentuan që të hynin me dhunë në selinë e partisë. Sipas policisë, ndërhyrja u bë me kërkesë të një grupi të deputetëve të Partisë Demokratike të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta e protestuesve. Gjatë një deklarate për mediat Berisha ka thënë se protesta e sotme ka vërtetuar se Basha është peng i Ramës.

“Ky ishte një skenar i përgatitur me kujdes gjatë gjithë këtyre ditëve. Nuk kishte njeri dhe nuk ka asnjë problem me asnjë deputet të PD-së përveç me pengun e (e kryeministrit të Shqipërisë) Edi Ramës që quhet Lulzim Basha”, u shpreh Sali Berisha, Ish kryeministër i Shqipërisë.

Deri tani zyrtarisht dihet se 4 është numri i personave të lënduar të cilët janë shtrirë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa ky numër pritet që të rritet orëvë në vijim.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bëri thirrje për shmangien e akteve të dhunës, “provokimeve dhe tensioneve të panevojshme.

“Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, tha presidenti Meta, teksa shtoi se është e rëndësishme që protesta para selisë së PD-së të zhvillohet në mënyrë paqësore”.

Protesta u mbyll mbi tri orë pas fillimit të saj, teksa Berisha paralajmëroi se nuk do të heqë dorë nga qëllimet e tij për të marrë kontrollin e selisë së PD-së duke paralajmëruar protesta të tjera gjatë periudhës së ardhshme jo vetëm në Tiranë por në gjithë Shqipërinë. Berisha protestën e sotme e quajti revolucion të pandalshëm.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dënoi aktet e dhunës që kanë ndodhur sot në selinë e PD-së dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button