Presidenti Pendarovski dekoroi përbërjen e parë parlamentare

30 vjet nga shpallja e Republikës së Maqedonisë shtet i pavarur dhe sovran… Më 8 Shtator 1991, 71.85% e qytetarëve me të drejtë zgjedhjeje morën pjesë në referendum, kurse 95% e tyre ju përgjigjën me “po” pyetjes “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtën të hyjë në një bashkim të ardhshëm me shtete sovrane të Jugosllavisë?”. Partitë politike shqiptare dhe popullsia shqiptare në përgjithësi bojkotuan referendumin. Kryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë sovrane u zgjodh Stojan Andov. Në shënimin e 30 vjetorit, Andov tani 85 vjeçar, pranoi dekoratë nga Presidenti Stevo Pendarovski.
https://www.youtube.com/watch?v=IvgR6QotauU
Donin shtetin e tyre. Ata donin dhe këmbëngulnin për këtë. më 8 janar, në seancën e parë të Kuvendit më zgjodhën mua kryetar. Unë bisedova, i takova grupet parlamentare dhe bisedova me të gjithë njëlloj, edhe me shqiptarët, edhe me maqedonasit, edhe me VMRO-në, edhe me LSDM-në”, tha Stojan Andov, kryetar i parë i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.
Me dekoratën “8 Shtatori” u nderuan edhe deputetët e përbërjes së parë parlamentare.
Ne, deputetët e përbërjes së parë e plotësuam vullnetin e qytetarëve që na zgjodhën. Gjenerata jonë i përfaqësonte edhe parimet e luftës çlirimtare dhe vendimet e KAÇKM-së. Sot, 30 vite nga pavarësia, mendoj se ai ishte vendimi më i drejtë. Anëtarësimi në NATO është një hap pozitiv përpara dhe shpresoj që edhe Bashkimi Evropian do të na i hapë dyert”, tha Nikolla Stojanovski, drejtues i seancës së are konstituive të Kuvendit.
President i vendit ishte zgjedhur Kiro Gligorov në tentativën e dytë të votimit për të në kuvend, edhe pse figura e tij kundërshtohej ashpër nga VMRO DPMNE-ja dhe partitë shqiptare PPD (Partia për Prosperitet Demokratik) e PDP (Partia Demokratike Popullore). Më 3 tetor 1995, Gligorov ishte objektivi i një atentati me makinë bombë në Shkup. Ndërsa ishte në rrugën nga vendbanimi i tij për në zyrën e tij, automjeti që mbante Gligorovin u hodh në erë nga një shpërthim nga një automjet i parkuar, duke vrarë shoferin e tij dhe duke plagosur disa kalimtarë. Gligorov mbeti i plagosur rëndë mbi syrin e tij të djathtë.
Dhjetë vjet pas pavarësisë, vendi do të përballej me konfliktin e armatosur të 2001-shit. Përplasja mes policisë dhe anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare zgjati për afër 10 muaj dhe u mbyll me dorëzimin e armëve të UÇK-së pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Marrëveshja u vlerësua lart nga palët nënshkruese dhe përfaqësuesit ndërkombëtar.
Ndër nënshkruesit e saj ishte edhe presidenti i atëhershëm Boris Trajkovski. Trajkovski vdiq më 26 shkurt 2004 në një aksident ajror gjatë rrugës për në një konferencë ekonomike në Mostar, Bosnjë dhe Hercegovinë. Avioni u rrëzua nga mjegulla e dendur dhe shiu i rrëmbyeshëm.
Rendi kushtetues u rrezikua edhe disa vite më vonë, më 27 prill 2017, me hyrjen e dhunshme në Kuvend të protestuesve të cilët rrezikuan jetën e deputetëve dhe të kryetarit të sapozgjedhur pas ndërrimit të pushtetit. Zhvillimeve të 27 prillit u kishin paraprirë një krizë e gjatë politike, materiale të përgjuara që rrëzuan pushtetin e kaluar të ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe krijimin e një Prokurorie Speciale Publike për hetimin e veprave të funksionarëve të lartë.
Angazhimi për integrimin euroatlantik të Maqedonisë daton në vitin 1993, kur Kuvendi miratoi një Rezolutë, e cila përcakton përparësitë e politikës së jashtme të vendit, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE. Po atë vit, Maqedonia u bë anëtare e Kombeve të Bashkuara, por për shkak të mosmarrëveshjes për emrin me Republikën e Greqisë, ajo u pranua nën referencën e përkohshme Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Vendi është anëtarja e 30 e NATO-s që vitin e kaluar. Që nga dhjetori 2005, ka qenë gjithashtu kandidat për t’u anëtarësuar me Bashkimin Evropian.
Presidenti Stevo Pendarovski pret bashkimin e forcave politike në vend rreth qëllimeve të përbashkëta në të mirë të qytetarëve, ashtu siç kishin bërë tre dekada më parë.
Është koha që 30 vjet më vonë të mbledhim forcat dhe duke u bazuar në gjeneratën e parë të deputetëve të ndërtojmë unitet rreth interesave vitale të qytetarëve. Specifikë kyçe e çdo shoqërie të mençur, të lirë dhe demokratike, është pikërisht aftësia që nëpërmjet institucioneve dhe procedurave, në mënyrë konstruktive, t’i tejkalojë dallimet politike dhe mospajtimet. Kurse, institucioni shtyllë për këto debate është shtëpia jonë e demokracisë, Kuvendi. Të punojmë në përafrimin e legjislacionit tonë me atë evropian, jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë thelbësore përmes respektimit të sundimit të së drejtës dhe të lirive dhe të drejtave të secilit njeri”, tha Stevo Pendarovski, president.
Fatlume Dervishi