Izraeli vazhdon sulmet ndaj spitaleve, thotë se po përdoren nga Hamasi

Izraeli vazhdon sulmet ndaj spitaleve, thotë se po përdoren nga Hamasi

Gazetare: Xhesika Salahi

Një breshëri sulmesh ajrore izraelite goditën Spitalin Al Aksa dhe dy kampe refugjatësh në Nusairat, në Gaza, me pasojë dhjetëra të vdekur. Sipas ushtrisë izraelite, ata janë përqendruar në spastrimin e objekteve mjekësore për të cilat thonë se po përdoren si mburojë nga Hamas-i. Ndërkohë, një numër goditjesh u identifikuan nga Libani në territorin izraelit verior, por pa të plagosur. Shumica e popullsisë izraelite që jeton në fshatrat kufitare me Libanin janë evakuuar.

Teksa vazhdojnë sulmet izraelite të njëpasnjëshme në Gaza, në pikën kufitare Rafah kanë kaluar kamionët me materiale ndërtuese për spitalin fushor jordanez, i cili do të ndërtohet për të ndihmuar në përballimin e krizës shëndetësore.

Sulmet izraelite janë rritur me një ritëm të shpejtë dhe përshkallëzues, që ka përhapur frikë, ka thelluar dëshpërimin dhe ka grabitur palestinezët nga mjetet e jetesës, shtëpitë e tyre dhe jetët e tyre, sipas Kombeve të Bashkuara. E drejta ndërkombëtare thotë se ushtria, si fuqi pushtuese, duhet të mbrojë civilët palestinezë. Në një deklaratë për media, Ministria e Jashtme e Kinës ka reaguar në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Kina qëndron e gatshme të punojë me vendet arabe dhe islamike dhe të vazhdojë të bëjë përpjekje të pamëshirshme për të nxitur ndërprerjen e armiqësive në Gaza në një datë të hershme, për të lehtësuar krizën humanitare në Gaza, për të realizuar bashkëjetesën paqësore midis Palestinës dhe Izraelit dhe për të nxitur sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi Mao Ning, ministria e jashtme e Kinës.

Ushtria thotë se 63 ushtarë izraelitë janë vrarë. Më tepër se 11,500 palestinezë janë vrarë në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. 2,700 të tjerë janë raportuar të humbur, që besohet se janë varrosur në rrënoja. Më shumë se dy të tretat e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh janë larguar nga shtëpitë e tyre. /Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button